Kompensimi 10 për qind i TVSH, 1265 aplikime deri në korrik, fermerët përfituan 3.5 mln euro
Skema e re e kompensimit 10 për qind të TVSH-së përmes autofaturës po regjistron interes të lartë. Deri më 20 korrik janë dorëzuar 1,265 aplikime, ndërsa vlera e kompensimit të kërkuar ka arritur në 3.5 milionë euro.
Administrata Tatimore njofton se vijon procesi i aplikimit online për fermerët që synojnë të përfitojnë nga skema e kompensimit 10 për qind të TVSH-së përmes autofaturës për shitjet e produkteve bujqësore. Deri më 20 korrik 2026 janë regjistruar 1,265 aplikime, me një vlerë totale kompensimi prej 3.5 milionë euro.
Tatimet u bëjnë thirrje fermerëve që të aplikojnë në platformën e-Filing për të përfituar nga kjo skemë, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026 dhe synon të lehtësojë procedurat administrative, si edhe të rrisë mbështetjen financiare për sektorin bujqësor.
Shitjet e produkteve bujqësore u rritën në 13.5 miliardë lekë
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, interesi për këtë skemë pritet të jetë i lartë, i mbështetur edhe nga rritja e aktivitetit në sektor. Për periudhën janar–qershor 2026, vlera e shitjeve të produkteve bujqësore arriti në rreth 13.5 miliardë lekë, krahasuar me 11.5 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Po ashtu, është rritur edhe numri i prodhuesve bujqësorë që shesin produktet e tyre tek subjektet me përgjegjësi për TVSH. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, numri i tyre arriti në 9,501, ndërsa numri i blerësve të regjistruar për TVSH u rrit në 616.
Kompensimi mund të arrijë në 13.8 milionë euro
Sipas vlerësimeve të Administratës Tatimore, nëse të gjithë fermerët që plotësojnë kushtet e skemës paraqesin aplikimet e tyre, vlera totale e kompensimit për periudhën
janar–qershor 2026 mund të arrijë në rreth 1.35 miliardë lekë, ose afro 13.8 milionë euro.
Skema e kompensimit 10 për qind përmes autofaturës synon të formalizojë më tej tregtimin e produkteve bujqësore, duke u ofruar fermerëve përfitime financiare dhe procedura më të thjeshtuara për përfitimin e kompensimit të TVSH-së.