Secondary Adv

Bordi i Paqes, Nufi: Qeveria vendos javën e ardhshme për dergimin e ushtarakëve në Gaza

Këshilli i Ministrave pritet të marrë javën e ardhshme vendimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza. Fillimisht do të dërgohen oficerë shtabi, ndërsa më pas do të vendoset për numrin e trupave dhe misionin e tyre.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se qeveria pritet të miratojë javën e ardhshme vendimin për angazhimin e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza, në kuadër të Forcave Ndërkombëtare Stabilizuese.


Fillimisht do të dërgohen oficerë shtabi

Gjatë një komunikimi me gazetarët, ministri Nufi shpjegoi se faza e parë e angazhimit do të përfshijë dërgimin e oficerëve të shtabit, të cilët do t'i bashkohen strukturave të Forcave Ndërkombëtare Stabilizuese.


Sipas tij, Shqipëria ka zhvilluar tashmë një mision paraprak për shqyrtimin e situatës në terren, ndërsa pas përfundimit të këtij procesi do të vijojë vendosja e oficerëve të shtabit.


Më pas vendoset për trupat dhe misionin

Ministri theksoi se vetëm pas vlerësimit të kryer nga oficerët në terren do të merret vendimi për angazhimin e trupave shqiptare në mision.


"Javën që vjen me shumë mundësi do të marrë Këshilli i Ministrave vendimin lidhur me dërgimin e trupave në Gaza. Ne do të dërgojmë oficerë shtabi në shtabin e Forcave Ndërkombëtare Stabilizuese. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave. Kemi bërë një mision për shqyrtimin e territorit, pas atij misioni do të dërgojmë oficerët e shtabit dhe më pas do të bëhet vlerësimi për angazhimin e trupave konkrete. Aty do të specifikohet sa trupa do të dërgohen, ku do të dislokohen dhe cili do të jetë misioni i tyre konkret", deklaroi ministri Ermal Nufi.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat