Inflacioni bazë arrin nivelin më të lartë që prej vitit 2023
Inflacioni bazë në Shqipëri vijoi rritjen edhe gjatë muajit qershor, duke arritur në 3.54%, niveli më i lartë që prej tetorit 2023.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se presionet inflacioniste po mbeten të forta edhe përtej ndikimit të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në muajin qershor u rritën njëkohësisht inflacioni bazë, inflacioni bazë neto dhe inflacioni që përjashton ushqimet dhe mallrat energjetike. Ecuria e këtyre treguesve sinjalizon se rritja e çmimeve në ekonomi po mbështetet gjithnjë e më shumë nga faktorë të brendshëm dhe jo vetëm nga luhatjet afatshkurtra të tregjeve ndërkombëtare.
Inflacioni bazë arrin në 3.54%
Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se inflacioni bazë vjetor u rrit në 3.54% gjatë muajit qershor, nga 3.15% që ishte në maj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ky tregues ishte 2.69%, rritja është edhe më e theksuar.
Ky është niveli më i lartë i inflacionit bazë që prej tetorit të vitit 2023 dhe për të dytin muaj radhazi ai qëndron mbi inflacionin total në ekonomi, i cili sipas INSTAT arriti në 3.2% gjatë qershorit.
Inflacioni bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përfaqësojnë 69.8% të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit dhe përjashton artikujt me luhatshmëri të lartë, si ushqimet dhe produktet energjetike. Ky tregues përdoret nga Banka e Shqipërisë për të vlerësuar tendencat afatgjata të inflacionit.
Rritje edhe e inflacionit bazë neto
Edhe inflacioni bazë neto shënoi rritje të ndjeshme gjatë qershorit. Ky tregues arriti në 4.03%, nga 3.6% në muajin maj dhe nga 2.45% në qershor të vitit 2025.
Inflacioni bazë neto përjashton, përveç energjisë dhe ushqimeve të papërpunuara, edhe ushqimet e përpunuara, përfshirë bukën dhe drithërat, dhe llogaritet mbi rreth 49% të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Presionet e çmimeve mbeten të forta
Në të njëjtën kohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike u rrit në 3.94% në qershor, nga 3.54% në maj dhe 2.38% në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kjo tregon se rritja e çmimeve nuk lidhet vetëm me luhatjet e çmimeve të naftës të shkaktuara nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, por edhe me presionet inflacioniste të krijuara nga ekonomia e brendshme.
Banka e Shqipërisë mban normën bazë në 2.5%
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.
Sipas bankës qendrore, goditja e ofertës gjatë tremujorit të dytë pritet të ketë efekte të përkohshme, duke u mbështetur në pritshmëritë për normalizimin e tensioneve gjeopolitike dhe të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, zhvillimet e javëve të fundit në Lindjen e Mesme dhe rritja e vazhdueshme e presioneve inflacioniste në ekonominë vendase mund të shtojnë gjasat për një shtrëngim të politikës monetare në periudhën në vijim.