Secondary Adv

Nafta 206 lekë/litër, operatorët e transportit kërkojnë sërish subvencion

Rritja e çmimit të naftës mbi 200 lekë për litër po shton presionin mbi kompanitë e transportit publik. Operatorët kërkojnë një tjetër paketë subvencionimi, ndërsa ende nuk kanë marrë pagesat nga skema e parë e kompensimit të miratuar nga qeveria.

Teksa sezoni turistik ka rritur ndjeshëm fluksin e udhëtarëve, kompanitë e transportit publik përballen me kosto më të larta të karburantit dhe vonesa në zbatimin e skemës së kompensimit. Sipas burimeve të Ekofin.al, më 21 korrik shoqatat dhe operatorët e transportit i janë drejtuar qeverisë me një kërkesë të re për subvencionimin e naftës, pasi çmimi ka arritur sërish në 206 lekë për litër.


Asnjë pagesë nga fondi prej 250 milionë lekësh

Megjithëse qeveria ka miratuar një fond prej 250 milionë lekësh për të kompensuar kostot e karburantit për muajt mars, prill dhe maj, deri tani asnjë operator nuk ka marrë pagesën përkatëse.


Sipas burimeve pranë sektorit, vonesat lidhen me procedurat e gjata të verifikimit të dokumentacionit dhe shpërndarjes së fondit. Operatorët e konsiderojnë procesin tepër burokratik dhe të papërshtatshëm për një sektor që përballet me probleme të menjëhershme të likuiditetit.


Vetëm 26 aplikime nga mbi 200 kompani

Interesi për skemën ka rezultuar shumë më i ulët nga sa pritej. Edhe pse në Shqipëri operojnë mbi 200 kompani të transportit urban, rrethqytetës dhe ndërqytetës, vetëm 26 subjekte kanë dorëzuar dokumentacionin për të përfituar kompensimin.


Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se aplikimet janë hapur më 1 qershor dhe do të pranohen deri më 1 gusht 2026. Fondi synon të zbusë ndikimin e rritjes së çmimit të karburanteve dhe të shmangë rritjen e tarifave të biletave për qytetarët.


Sipas operatorëve, pjesëmarrja e ulët lidhet me vështirësitë që kanë sidomos kompanitë e vogla në plotësimin e kërkesave të administratës tatimore. Mungesa e sistemeve të plota të kontabilitetit dhe procedurat e ndërlikuara të aplikimit kanë dekurajuar shumë prej tyre.


Sektori paralajmëron vështirësi financiare

Burime nga sektori bëjnë të ditur se javën e ardhshme pritet të zhvillohet një takim mes institucioneve dhe shoqatave të transportit për të diskutuar zgjidhje që mund të lehtësojnë barrën financiare të operatorëve.


Përfaqësuesit e kompanive paralajmërojnë se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës, kostot e mirëmbajtjes, pagat dhe detyrimet fiskale po ushtrojnë presion të madh mbi aktivitetin, duke ngushtuar marzhet e fitimit dhe duke rritur rrezikun e falimentimit për një pjesë të operatorëve.


Në të njëjtën kohë, qytetarët vijojnë të ankohen për cilësinë e shërbimit, duke përmendur autobusë pa kondicioner, mosrespektim të orareve të qarkullimit dhe mangësi në standardet e shërbimit ndaj pasagjerëve.


Operatorët paralajmërojnë se nëse kompensimi nuk disbursohet brenda një afati të arsyeshëm, disa kompani mund të reduktojnë shërbimin ose të pezullojnë aktivitetin në linja të caktuara.


Skema përballet me sfida në zbatim

Skema e kompensimit synon të mbështesë transportin urban, rrethqytetës dhe ndërqytetës gjatë periudhave me rritje të fortë të çmimit të karburanteve, duke mbrojtur operatorët dhe duke shmangur rritjen e çmimeve të biletave.


Megjithatë, ecuria e deritanishme tregon se sfida kryesore nuk është mungesa e fondit, por vështirësia për ta aksesuar atë. Me vetëm rreth 13% të operatorëve që kanë arritur të aplikojnë dhe pa asnjë pagesë të kryer deri tani, sektori kërkon thjeshtimin e procedurave dhe përshpejtimin e disbursimit të fondeve.


Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat