Secondary Adv

Propozohen pagesat për kujdesin alternativ, përfitim deri 40 mijë/muaj për fëmijët dhe kujdestarët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka propozuar një skemë të re mbështetjeje financiare për fëmijët pa kujdes prindëror dhe familjet që ofrojnë kujdes alternativ.

Projektvendimi parashikon pagesa mujore për fëmijët dhe shpërblim në nivelin e pagës minimale për kujdestarët profesionalë.


Projektvendimi "Për masën e pagesës për fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje" synon të forcojë sistemin e kujdesit familjar për fëmijët pa kujdes prindëror, duke ofruar mbështetje financiare si për fëmijët, ashtu edhe për familjet që marrin përsipër kujdesin e tyre.


Dy pagesa mujore për fëmijët

Sipas projektvendimit, fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje do të përfitojnë një pagesë mujore prej 12 mijë lekësh për përmbushjen e nevojave të përditshme të jetesës.


Përveç kësaj, parashikohet edhe një pagesë tjetër mujore prej 35 mijë lekësh për mbulimin e shpenzimeve të tjera që lidhen me kujdesin dhe mirëqenien e fëmijës.


Në vitin e parë të zbatimit të skemës, efekti financiar për pagesat e drejtpërdrejta ndaj fëmijëve llogaritet në 27.7 milionë lekë. Deri në fund të vitit 2028, kjo shumë pritet të arrijë në 53.2 milionë lekë, duke përfshirë edhe indeksimin me 2% në vit për shkak të inflacionit.


Paga minimale për familjet kujdestare

Projektvendimi parashikon gjithashtu që familjet që ofrojnë shërbimin profesional të kujdesit alternativ të përfitojnë një pagesë mujore në nivelin e pagës minimale.


Pagesa do të përfitohet nga prindi kujdestar pasi të punësohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore përmes një kontrate pune, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës.


Për vitin e parë të zbatimit, shpenzimet për pagesën e kujdestarëve profesionalë parashikohen të arrijnë në rreth 42 milionë lekë, ndërsa në skemë pritet të përfshihen 60 familje.


Në vitin 2027, me zgjerimin e skemës në 140 familje kujdestare, fondi i nevojshëm parashikohet të rritet në rreth 98 milionë lekë.


221 milionë lekë nga buxheti i shtetit deri në vitin 2028

Në total, për zbatimin e skemës së mbështetjes financiare për fëmijët dhe kujdestarët e kujdesit alternativ gjatë periudhës 2026–2028 parashikohet të shpenzohen rreth 221 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ose rreth 2.3 milionë euro.


Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, objektivi është të nxitet kujdesi alternativ në mjedis familjar, duke krijuar kushte që fëmijët pa kujdes prindëror të rriten në një ambient sa më të afërt me familjen dhe të reduktohet nevoja për sistemimin e tyre në institucione rezidenciale.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat