Secondary Adv

BSH: Procesi i rivlerësimit rriti kërkesën për kredi për shtëpi, 295 mln euro në 5 muaj

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ka ndikuar në rritjen e kërkesës për kredi gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ligji për rivlerësimin e pronave është kthyer në një nga faktorët që ka nxitur aplikimet për financimin e blerjes së banesave. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë të vitit u regjistrua një rritje e kërkesës për kredi nga individët, ndërsa bankat lehtësuan standardet e kreditimit si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato për blerje banese.


Bankat lehtësuan kushtet e kreditimit

Në raportin e saj, Banka e Shqipërisë thekson se lehtësimi i standardeve të kreditimit u mbështet nga konkurrenca mes bankave dhe gatishmëria më e madhe e tyre për të marrë përsipër rrezik.


Institucionet bankare kanë raportuar se kërkesa për kredi është nxitur kryesisht nga financimi i blerjes së banesave, ndërsa një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe ligji në fuqi për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.


Sipas raportit, rivlerësimi i pronave është konsideruar një faktor shtesë që ka stimuluar aplikimet për kredi, ndërsa faktorët e tjerë kanë pasur ndikim më të kufizuar.


Mbi 17 mijë aplikime për rivlerësim

Në të gjithë vendin vijon procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tregojnë se deri tani janë regjistruar 17,851 aplikime për rivlerësimin e pronave.


Skema u jep mundësi qytetarëve dhe bizneseve të afrojnë vlerën e pronave me çmimet e tregut kundrejt një tatimi prej 5 për qind. Fushata e rivlerësimit do të qëndrojë e hapur deri më 31 dhjetor 2026.


Rritja e vlerës së pasurive sipas çmimeve të tregut përmirëson edhe mundësinë për përdorimin e tyre si kolateral, duke lehtësuar aksesin në financim bankar.


Kreditë për banesa ranë në krahasim me një vit më parë

Pavarësisht rritjes së kërkesës për financim, vlera e kredive të miratuara për blerje banese rezultoi më e ulët se një vit më parë.


Në periudhën janar–maj 2026, bankat disbursuan 295 milionë euro kredi për blerje banese, kundrejt 307 milionë eurove në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rënie prej 12 milionë eurosh në baza vjetore.


Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo lidhet edhe me masat makroprudenciale të vendosura në korrik të vitit të kaluar, kur banka qendrore kufizoi kreditimin për pasuritë e paluajtshme përmes vendosjes së tavaneve të caktuara, me synimin për të frenuar ekspozimin e lartë të sektorit bankar ndaj tregut imobiliar.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat