Raporti i AKM: Tirana dhe Elbasani qytetet me ndotjen më të lartë të ajrit
Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka publikuar “Raportin e Gjendjes në Mjedis 2025”, i cili tregon se Tirana dhe Elbasani vijojnë të kenë nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në vend.
Megjithëse disa tregues kanë shënuar përmirësim, në disa qytete janë regjistruar ende tejkalime të kufijve të lejuar për ndotësit kryesorë. Raporti analizon gjendjen e ajrit, ujërave, tokës, pyjeve, biodiversitetit, mbetjeve dhe ndryshimeve klimatike në Shqipëri, duke u mbështetur në të dhënat e rrjetit kombëtar të monitorimit të cilësisë së ajrit.
PM10 mbi normat në Tiranë dhe Elbasan
Sipas monitorimit për periudhën korrik–dhjetor 2025, grimcat PM10 tejkaluan normën vjetore të lejuar në dy stacione monitorimi: Tirana Higjena dhe Elbasani.
Në stacionin "Tirana Higjena" u regjistrua një përqendrim mesatar prej 57.66 μg/m³, ose 44 për qind mbi kufirin e lejuar, ndërsa në Elbasan mesatarja arriti në 59.72 μg/m³, rreth 49 për qind mbi normën vjetore.
Raporti tregon gjithashtu se stacioni "Tirana Higjena" regjistroi 33 ditë me tejkalim të kufirit ditor të PM10, shumë pranë pragut maksimal prej 35 ditësh të lejuara gjatë një viti.
PM2.5 brenda kufijve, Korça pranë limitit
Për grimcat e imëta PM2.5, situata rezulton më pozitive. Sipas raportit, asnjë nga stacionet e monitorimit nuk regjistroi tejkalim të normës vjetore, megjithëse Korça rezultoi shumë pranë kufirit të lejuar.
Ky tregues konsiderohet ndër më të rëndësishmit për shëndetin publik, pasi grimcat PM2.5 depërtojnë më lehtë në sistemin e frymëmarrjes.
Elbasani tejkalon kufirin edhe për dioksidin e azotit
Për dioksidin e azotit (NO₂), raporti evidenton vetëm një tejkalim të normës vjetore, të regjistruar në Elbasan, ku përqendrimi mesatar arriti në 40.18 μg/m³.
Ndërkohë, për dioksidin e squfurit (SO₂) nuk u konstatuan tejkalime të kufijve ditorë apo orarë në asnjë nga stacionet e monitorimit, duke treguar një situatë më të qëndrueshme për këtë ndotës.
Ozoni problematik në disa qytete
Raporti evidenton se ozoni (O₃) paraqet problematika në disa zona të vendit. Tejkalime të normës mesatare 8-orëshe u regjistruan në Fier, Korçë, Shkodër, Tirana Higjena dhe Tirana Mobile, ndërsa Durrësi dhe Elbasani nuk shfaqën tejkalime.
Vlera më e lartë u regjistrua në Fier, ku përqendrimi arriti në 156.34 μg/m³.
Tejkalim i monoksidit të karbonit vetëm në Fier
Për monoksidin e karbonit (CO), raporti regjistron vetëm një tejkalim, në Fier, ku vlera maksimale arriti në 10.93 mg/m³.
Në Korçë nuk pati tejkalim të normës, por u vu re një rritje e ndjeshme e përqendrimeve gjatë muajit dhjetor, e lidhur me përdorimin më të madh të lëndëve djegëse për ngrohje.
Sa i përket benzenit, raporti konstaton se në asnjë nga stacionet e monitorimit nuk janë regjistruar tejkalime të kufirit vjetor.
Monitorimi kryhet në nëntë stacione
Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit bazohet në të dhënat e një rrjeti prej nëntë stacionesh automatike dhe gjysmëautomatike të vendosura në qytetet kryesore të vendit. Këto stacione monitorojnë ndotësit kryesorë të ajrit, përfshirë PM10, PM2.5, SO₂, NO₂, O₃, CO dhe benzenin, si edhe parametrat meteorologjikë.