Secondary Adv

Malaj: Borxhi publik i vendit ulet në 49.02 për qind të prodhimit kombëtar

Ministria e Financave thotë se borxhi publik i vendit ka zbritur në 49% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjysma e parë e vitit është mbyllur me ecuri pozitive sa i përket uljes së borxhit publik. Referuar raportit të fundit të Ministrisë së Financave, në fund të muajit qershor borxhi u ndal në 49.02%, ose afro 3.9% më pak se në fund të vitit të kaluar.


BORXHI PUBLIK NË PËRQINDJE


Viti 2025 52.92%

Prill-Qershor 2026 49.02%

Diferenca -3.9%


Përllogaritja e borxhit në përqindje bëhet mbi një Prodhim Kombëtar prej 29.8 miliardë euro, në rritje krahasuar me vjet, çka ul direkt edhe përqindjen e borxhit në raport me PBB-në. Ndërsa përkthyer në vlerë, borxhi i Shqipërisë përllogaritet në 1.3 trilionë lekë ose afro 14.6 miliardë euro me kursin aktual dhe është tkurrur me afro 360 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.


BORXHI PUBLIK NË VLERË


Viti 2025 14.988 mln euro

Prill-Qershor 2026 14.629 mln euro

Diferenca -359 mln euro

Ndryshe nga periudhat e kaluara, kur zhvlerësimi i valutave jepte kontributin kryesor në uljen e borxhit, në këtë gjashtëmujor të parë të vitit 2026, ndikimi më i madh është regjistruar tek borxhi i brendshëm. Konkretisht borxhi i brendshëm është ulur nga 31.4% në 29.1%, ndërsa borxhi i jashtëm u ul me 1.59%, dhe aktualisht ka zbritur në 19.92%.


BORXHI SIPAS MONEDHËS


I brendshëm I Jashtëm

Viti 2025 31.41% 21.51%

Prill-Qershor 2026 29.10% 19.92%

Diferenca -2.31% -1.59%


Zhvlerësimi i valutave dhe kryesisht i euros e ka bërë më të lirë borxhin e huaj, për shkak se këstet e shlyerjes së tij kanë qenë më të ulëta. Referuar raportit, borxhi publik i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht për mbështetje buxhetore, për sektorin e energjisë dhe atë të transportit.


Ministri i Financave, Petrit Malaj thotë se brenda 5 vitesh borxhi publik është ulur me 21.1%, si rezultat i menaxhimit të kujdesshëm të financave publike dhe i borxhit publik.


“Është ulur pesha e borxhit afatshkurtër, është rritur jetëgjatësia mesatare e borxhit të brendshëm dhe është reduktuar pesha e borxhit që maturohet brenda një viti, duke forcuar qëndrueshmërinë e financave publike”, thotë Malaj.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat