Qiratë ditore e nisin verën me vrull, kërkesa u rrit me 23 për qind në qershor
Shqipëria hyri në sezonin veror me më shumë vizitorë sesa prona të reja për t’i strehuar të paktën në apartamente.
Në qershor, kërkesa për qira afatshkurtra u rrit me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se oferta, duke ngritur njëkohësisht zënien (prenotimet) dhe çmimet.
Sipas AirDNA, në qershor 2026 u regjistruan 284,329 net-qëndrimi në pronat e listuara në platformat e qirave ditore, 22.6% më shumë se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, numri i pronave të disponueshme u rrit në 31,655, nga 28,972 në qershor 2025, ose me 9.26%.
Me kërkesën që po ecën dukshëm më shpejt se oferta, norma e zënies apo prenotimeve u ngjit në 58.89%, nga 55.47% një vit më parë. Kjo rritja prej 3.42 pikësh përqindjeje konfirmon edhe një herë trendin se tregu vazhdon të ketë “uri” për këtë segment akomodimi, duke e përthithur menjëherë pjesën e disponueshme.
Kjo lidhet sidomos me tipologjinë e turistit individual që po viziton Shqipërinë tre vitet e fundit, ku apartamentet po fitojnë dukshëm terren mbi strukturat hoteliere.
Edhe pronarët e këtyre njësive me qira ditore kanë përfituar nga ritmi i sezonit. Tarifa mesatare ditore arriti në 65.85 euro për natë, nga 62.43 euro në qershorin e kaluar, një rritje vjetore prej 5.48%.
Pamja 12-mujore është po aq e fortë. Në periudhën e mbyllur në qershor, numri mesatar i listimeve arriti në 28,074, 15.34% më shumë se një vit më parë. Netët e rezervuara u rritën me 17.93%, në 2.51 milionë, ndërsa të ardhurat e vlerësuara nga tregu arritën në 144.1 milionë euro, me një rritje prej 20.05%.
Tarifa mesatare për periudhën 12-mujore u rrit në 57.5 euro për natë, nga 56.5 euro, ndërsa norma mesatare e zënies u përmirësua lehtë në 54.49%, nga 54.1%.
Shqipëria ruajti gjithashtu ritmin më të shpejtë të zgjerimit të ofertës në grupin e vendeve të rajonit të përfshira në të dhënat e AirDNA. Rritja prej 15.34% ishte më e lartë se në Malin e Zi, me 10.04%, Rumani me 9.99%, Serbi me 8.49%, Slloveni me 6.61% dhe Bullgari me 4.96%. Për nga madhësia, tregu shqiptar mbetet i dyti në grup, pas Rumanisë.
Shqipëria kishte mesatarisht 28,074 listime mujore, kundrejt 34,384 në Rumani. Pas tyre renditeshin Mali i Zi me 21,902, Bullgaria me 18,678, Serbia me 15,333 dhe Sllovenia me 10,826.
Panorama e qershorit konfirmon edhe një herë një tendencë për të shkuar gjithmonë e më shumë tek apartamentet me qira ditore nga ana e atyre që e shohin një pronë si investim, teksa në të njëjtën kohë edhe rezervimet po i përgjigjen kësaj tendence.