Shqiptarët po investojnë jashtë vendit, 341 mln dollarë në 2025, rritje me 30 për qind
Investimet direkte të Shqipërisë jashtë vendit arritën në 341 milionë dollarë gjatë vitit 2025, duke u rritur me 79 milionë dollarë ose 30.2% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të UNCTAD (Agjencia e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin) kjo është vlera më e lartë e investimeve shqiptare jashtë vendit në periudhën 2020-2025. Në vitin 2024, flukset dalëse ishin 262 milionë dollarë, pothuajse të pandryshuara nga 265 milionë dollarë në vitin 2023.
Krahasuar me vitin 2020, kur investimet jashtë vendit ishin vetëm 88 milionë dollarë, vlera e vitit 2025 është rritur me 253 milionë dollarë dhe pothuajse katërfishuar.
Në total, gjatë gjashtë viteve 2020-2025, Shqipëria ka investuar rreth 1.2 miliardë dollarë jashtë vendit.
Rritja e investimeve jashtë ishte më e shpejtë se rritja e kapitalit të huaj që hyri në Shqipëri. Investimet shqiptare jashtë u rritën me 30.2%, ndërsa investimet e huaja që hynë në vend u shtuan me rreth 8% në vitin 2025.
Megjithatë, Shqipëria vazhdon të marrë shumë më tepër kapital nga jashtë sesa investon në ekonomi të tjera. Në vitin 2025, flukset hyrëse arritën në 1.84 miliardë dollarë, rreth 5.4 herë më shumë se investimet dalëse prej 341 milionë dollarësh.
Shqipëria e dyta në rajon
Shqipëria renditet e dyta në Ballkanin Perëndimor për investimet direkte të kryera jashtë vendit gjatë vitit 2025.
Serbia kryeson me 1.34 miliardë dollarë, pas një rritjeje të fortë nga 675 milionë dollarë në vitin 2024. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia e Veriut me 249 milionë dollarë, Bosnjë-Hercegovina me 135 milionë dhe Mali i Zi me 76 milionë dollarë.
Investimet dalëse nga Shqipëria u rritën nga 88 milionë dollarë në vitin 2020 në 181 milionë në vitin 2022 dhe në 265 milionë dollarë në vitin 2023. Në vitin 2024 pati një rënie të lehtë në 262 milionë dollarë, përpara rritjes në 341 milionë dollarë në vitin 2025, thekson raporti.
Stoku jashtë kalon 2.2 miliardë dollarë
Të dhënat tregojnë se edhe stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit u rrit ndjeshëm. Në fund të vitit 2025 ai arriti në 2.23 miliardë dollarë, nga 1.63 miliardë dollarë në fund të vitit 2024.
Shtesa prej 603 milionë dollarësh përfaqëson një rritje vjetore prej 36.9%. Stoku përfshin vlerën e akumuluar të investimeve shqiptare të kryera jashtë vendit ndër vite.
Shqipëria renditet e dyta në rajon edhe për stokun e investimeve jashtë. Serbia ka një stok prej 7.47 miliardë dollarësh, ndërsa Maqedonia e Veriut 505 milionë, Bosnjë-Hercegovina 1.17 miliardë dhe Mali i Zi 415 milionë dollarë.