Secondary Adv

Ndërhyrja në rrugën Borsh-Çorraj, 2.5 mln euro për rikonstruksionin

Bashkia Himarë hapi këtë të martë tenderin për rikonstruksionin e rrugës Borsh-Çorraj, me fond limit 249.9 milionë lekë, ose rreth 2.5 milionë euro.

Projekti përfshin ndërhyrjen në një aks rreth 8.5 kilometra në Njësinë Administrative Lukovë dhe parashikohet të realizohet brenda 15 muajve.


Sipas dokumentacionit teknik, rruga është lidhja kryesore e fshatit Çorraj me Borshin, rrugën kombëtare SH8 dhe shërbimet publike të Bashkisë Himarë. Aksi u shërben gjithashtu banesave, parcelave bujqësore, kullotave dhe aktiviteteve ekonomike përgjatë zonës.


Gjendja aktuale e rrugës përshkruhet si e amortizuar dhe kryesisht e pashtruar, me shtresa çakëlli dhe materiale natyrore të degraduara. Dokumenti evidenton gropa, deformime, rrëshqitje lokale dhe disnivele, ndërsa në disa segmente kalimi është i mundur kryesisht me automjete të larta ose mjete me tërheqje të plotë, sidomos gjatë reshjeve.


Projekti nuk parashikon vetëm asfaltimin. Punimet përfshijnë zgjerimin e trupit të rrugës, ndërtimin e shtresave të reja, bankinave, kanaleve kulluese, tombinove dhe mureve mbajtëse, si dhe vendosjen e sinjalistikës horizontale e vertikale dhe elementeve të sigurisë rrugore.


Preventivi përmban rreth 28,450 metra kub gërmime dhe 33,120 metra katrorë shtresë binderi e asfaltobetoni. Parashikohen gjithashtu 42,320 metra katrorë shtresë çakëlli dhe stabilizanti, 18,400 metra vijëzim rrugor, 148 metra barriera metalike dhe 1,200 delinatorë.


Dokumentacioni e lidh investimin me përmirësimin e transportit të banorëve dhe të produkteve bujqësore e blegtorale. Sipas tij, një rrugë funksionale do të përmirësojë aksesin drejt Borshit dhe rrjetit kombëtar, si dhe do të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.


Zgjidhja e përzgjedhur ruan në pjesën më të madhe gjurmën ekzistuese. Sipas relacionit teknik, kjo alternativë kufizon ndërhyrjet në territor, redukton nevojën për shpronësime dhe shmang kostot më të larta që do të sillte hapja e një korridori të ri në terrenin kodrinor-malor.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat