Secondary Adv

Bypassi i Tiranës avancon në 31 për qind, Karakaçi: Po përmbyllim financimin për 13 km e mbetur

Punimet në segmentin e parë të Bypass-it të Tiranës kanë arritur në 31%.

Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatit fazat e tjera të projektit 21-kilometërsh, që do të lidhë disa nga akset kryesore rrugore të vendit pa kaluar përmes kryeqytetit.


“Bypass-i ka rëndësi strategjike pasi bën ndërlidhjen me Korridorin Adriatiko-Jonian, Thumanë–Kashar dhe më pas me Kashar–Lekaj, si dhe me autostradën Tiranë–Durrës dhe autostradën e Elbasanit, duke shmangur hyrjen në Tiranë,” tha ministri Enea Karkaci gjatë inspektimit të punimeve.


Aktualisht janë në zbatim 8.2 kilometrat e parë të bypass-it, të ndarë në dy faza. Kontrata e parë mbulon një segment prej 4.2 kilometrash dhe është lidhur në shtator të vitit të kaluar.


“Realizimi fizik i punimeve është 31%, ndërsa ecuria ka qenë pozitive, pavarësisht terrenit problematik,” tha kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli. Sipas tij, edhe në fazën e dytë po kryhen punime gërmimi.


Kozeli tha se ARRSH planifikon të hapë procedurat edhe për rrugët lidhëse të fshatrave me bypass-in, si dhe për ndërlidhjen e aksit me autostradën dhe zonën e Kombinatit.


Një nga veprat kryesore të segmentit është ura mbi përroin e Limuthit, e cila është pranë përfundimit. Ura ka një gjatësi prej 53 metrash.


“Janë trajtuar të gjitha veprat e vogla dhe ura e Limuthit është pothuajse në përfundim. Ajo është projektuar për prurje me periudhë përsëritjeje një herë në 100 vjet, me qëllim shmangien e përmbytjeve,” tha inxhinieri i kompanisë nënkontraktore gjatë inspektimit të punimeve.


Për pjesën e mbetur prej rreth 13 kilometrash, autoritetet janë në fazën përmbyllëse të bisedimeve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për sigurimin e financimit.


“Ky segment i parë prej 8 kilometrash është i rëndësishëm, pasi realizon lidhjen me aksin Kashar–Lekaj,” tha Karkaci. Sipas tij, dokumentacioni ligjor për Kashar-Lekaj është përmbyllur dhe pritet miratimi i projektit të zbatimit nga ARRSH përpara nisjes së punimeve.


Procedura për lidhjen e bypass-it me autostradën Tiranë–Durrës dhe me aksin e Elbasanit, deri në zonën e Bradasheshit, është gjithashtu e përfunduar. “Është bërë njoftimi i fituesit dhe jemi në pritje të nisjes së punimeve,” tha Kozeli.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat