Malaj: Ekonomia u rrit me 3.7 për qind në TI, synojmë 4 për qind rritje në fund të vitit
Ekonomia shqiptare vijon të ndjekë një trajektore të qëndrueshme rritjeje dhe konsolidimi gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Treguesit fiskalë dhe makroekonomikë konfirmojnë ecurinë pozitive të saj.
Kështu deklaroi të hënën ministri i Financave, Petrit Malaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, ku u prezantuan rezultatet e administrimit fiskal për gjashtëmujorin e parë të vitit.
Malaj u shpreh se gjatë kësaj periudhe janë shënuar rritje si të të ardhurave, ashtu edhe të shpenzimeve buxhetore, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa ekonomia ka vijuar të mbështetet nga rritja e punësimit dhe aktivitetit të ndërmarrjeve.
“Ekonomia shqiptare në tremujorin e parë të vitit 2026 u rrit me 3.7%, një ritëm më i lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e Bashkimit Evropian”, tha ministri.
Sipas Malajt, pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit mbeten pozitive.
“Deri në fund të vitit 2026 parashikojmë që rritja ekonomike të arrijë në 4%, ku kontributin kryesor do ta japin sektori i shërbimeve, si dhe investimet private dhe publike”, deklaroi ai.
Ministri theksoi se qeveria synon që Prodhimi i Brendshëm Bruto të arrijë në rreth 29 miliardë euro deri në fund të vitit 2026, ndërsa objektivi i mandatit është që ekonomia shqiptare të arrijë një PBB prej 35 miliardë eurosh.
Sipas tij, këta tregues pasqyrojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe krijojnë bazë për vijimin e politikave që mbështesin rritjen ekonomike, investimet dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.