Secondary Adv

Doganat fillojnë implementimin e sistemeve sipas kritereve të BE

Administrata Doganore ka nisur zbatimin e një sistemi të ri doganor që synon harmonizimin e plotë me platformat e Bashkimit Europian, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në Kapitullin 29 të negociatave.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në Ministrinë e Financave për rezultatet e 6-mujorit të parë të vitit,, tha se marrëveshja me UNCTAD parashikon ndërtimin e një sistemi të ri teknologjik, i cili do të mbështesë të gjitha procedurat doganore dhe do të përdorë Inteligjencën Artificiale për analizën e riskut, klasifikimin tarifor dhe vlerësimin e vlerës doganore.


Sipas Bejës, moduli i parë, ai i eksporteve, synohet të vihet në funksion brenda dhjetorit të këtij viti. Pjesa më e madhe e sistemit pritet të implementohet gjatë vitit 2027, ndërsa përfundimi i të gjitha sistemeve është planifikuar deri në vitin 2030.


Modernizimi teknologjik është një nga katër piketat përmbyllëse të Kapitullit 29, krahas përafrimit të legjislacionit, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe administrative dhe aderimit në Protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit. Sipas njoftimit, kjo e fundit është përmbushur.


Kodi i ri Doganor është harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe u është përcjellë shërbimeve europiane për dakordësinë përfundimtare. Doganat synojnë që drafti të miratohet nga Kuvendi gjatë muajit shtator, ndërsa aktet nënligjore janë miratuar dhe dispozitat zbatuese do të miratohen pas hyrjes në fuqi të Kodit.


Administrata Doganore po përgatit edhe një strukturë të re organizative. Sipas Bejës, modeli i ri synon të lehtësojë procedurat në pikat kufitare dhe të zhvendosë një pjesë më të madhe të kontrollit në fazën pas zhdoganimit.


Kontrollet “a posteriori” do të përdoren për të verifikuar nëse procedurat janë kryer saktë dhe nëse operatorët kanë përmbushur detyrimet doganore. Sipas njoftimit, kjo qasje synon të ulë presionin në kufi dhe të forcojë kontrollin ndaj evazionit dhe shmangies së detyrimeve.


Në muajin mars, Administrata Doganore iu nënshtrua një misioni monitorues nga vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Europian për aftësinë e saj për të zbatuar legjislacionin europian dhe për të përmbushur rolin e një kufiri hyrës dhe dalës të unionit. Beja e cilësoi raportin e këtij misioni si pozitiv dhe motivues.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat