Secondary Adv

Transporti ajror vijon ngjitjen, pasagjerët rriten me 26.4 për qind në tremujorin e dytë

Transporti ajror i pasagjerëve në vend u rrit me ritme dyshifrore në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa volumi i mallrave dhe postës shënoi rënie.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës prill-qershor udhëtuan me linja ajrore 3.858.055 pasagjerë, nga 3.052.511 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo përfaqëson një rritje vjetore prej 26,4%.


Në transportin ajror operuan 33 shoqëri ajrore të huaja, krahasuar me 29 në tremujorin e dytë të vitit 2025. Numri i fluturimeve arriti në 23.216, nga 18.458 një vit më parë.


Në hapësirën ajrore shqiptare fluturuan gjithsej 121.684 avionë. Prej tyre, 98.468 ishin mbikalime, ose 80,9% e totalit, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga fluturimet e raportuara në vend.


Rritja e numrit të pasagjerëve nga i vetmi aeroport në vend siç është ai Ndërkombëtar i Tiranës po vijon prej kohësh një trajektore në ngjitje si efekt i shtimit të numrit të detinacioneve që mbulohen nga linjat low cost por edhe nga një ecuri e mirë e turizmit në vend ku Shqipëria ka vijuar të jetë në qendër të promovimit ndërkombëtar.


Në kahun tjetër, transporti ajror i mallrave dhe postës u tkurr. Volumi i hyrjeve dhe daljeve arriti në 704 tonë, me rënie 11,9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.


Mallrat dhe posta e hyrë përbënin 74,6% të volumit të përgjithshëm, ndërsa mallrat dhe posta e dalë zinin 25,4%.


Edhe tregtia e mallrave me ajër shënoi rënie. Volumi i importeve dhe eksporteve arriti në 556 tonë, ose 4,7% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Sipas INSTAT, mallrat e importuara me ajër përbënin vetëm 0,02% të volumit të përgjithshëm të mallrave të importuara në vend.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat