Kosova regjistron më pak biznese të reja, rënie mbi 5 për qind brenda një viti
Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë ka vazhduar të shënojë rënie edhe gjatë muajit qershor 2026, duke reflektuar një ngadalësim të ritmit të hapjes së bizneseve.
Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se regjistrimet e reja kanë rënë si në krahasim me muajin paraprak, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, në muajin qershor janë regjistruar gjithsej 1.092 ndërmarrje të reja, ose 1,4 për qind më pak krahasuar me muajin maj 2026.
Rënia është edhe më e theksuar në krahasim me qershorin e vitit 2025, kur numri i bizneseve të reja rezulton të jetë 5,1 për qind më i ulët.
Pavarësisht rënies së përgjithshme, sektori i tregtisë vazhdon të mbetet aktiviteti ekonomik më tërheqës për sipërmarrësit.
Gjatë qershorit, 242 ndërmarrje, ose 22,2 për qind e totalit të bizneseve të reja, janë regjistruar në aktivitetet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe riparimit të automjeteve dhe motoçikletave.
Pas tregtisë, numri më i madh i regjistrimeve është evidentuar në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve të ushqimit, me 124 ndërmarrje ose 11,4 për qind të totalit. Në vendin e tretë renditet ndërtimtaria me 121 ndërmarrje ose 11,1 për qind, ndërsa aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike përbëjnë 114 ndërmarrje, ose 10,4 për qind të regjistrimeve të reja.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se bizneset e reja vazhdojnë të jenë pothuajse ekskluzivisht mikro-ndërmarrje. Nga 1.092 ndërmarrjet e regjistruara në qershor, 1.088 i përkasin kategorisë me 0 deri në 9 të punësuar, ndërsa vetëm katër janë regjistruar si ndërmarrje të vogla me 10 deri në 49 punëtorë. Gjatë këtij muaji nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe, çka tregon se investimet në biznese me kapacitete më të mëdha vazhdojnë të mungojnë.