Secondary Adv

Qeveria pezullon ndërtimet në zonat turistike deri më 15 shtator, zgjaten afatet e lejeve

Punimet e ndërtimit, aktiviteti i guroreve dhe përpunimi i inerteve do të pezullohen në zonat turistike deri më 15 shtator 2026.

Koha e ndërprerjes do t’u shtohet afateve të lejeve të ndërtimit dhe zhvillimit.


Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për pezullimin e punimeve gjatë sezonit turistik 2026, me synimin që aktivitetet e ndërtimit, zhurma dhe pluhuri të mos pengojnë funksionimin normal të destinacioneve turistike.


Ndalimi fillon pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe do të qëndrojë në fuqi deri më 15 shtator.


Gjatë kësaj periudhe do të pezullohen të gjitha punimet në karriera dhe në pikat e nxjerrjes, përpunimit ose shfrytëzimit të inerteve, së bashku me aktivitetet që lidhen me to.


Ndalimi përfshin gjithashtu punimet e ndërtimit që nga gërmimi dhe hedhja e themeleve deri në përfundimin e karabinasë së objektit. Do të ndalohen edhe punimet e tjera që shkaktojnë zhurmë, pluhur, ndotje ose ndikime negative në mjedis, pavarësisht fazës së ndërtimit.


Punimet e brendshme lejohen vetëm nga ora 08:00 deri në 17:00

Nga pezullimi përjashtohen punimet e rifiniturave të brendshme dhe ndërhyrjet e vogla që kryhen pasi ka përfunduar ngritja e karabinasë, me kusht që të jenë të pajisura me lejet përkatëse dhe të mos shkaktojnë ndotje akustike, pluhur apo ndikime të tjera negative.


Do të lejohet gjithashtu ngritja ose sistemimi i kantiereve sipas legjislacionit në fuqi.


Punimet e përjashtuara mund të kryhen vetëm brenda fashës orare 08:00–17:00.


Pezullimi zgjat automatikisht afatin e lejeve

Periudha gjatë së cilës punimet do të qëndrojnë të pezulluara do të përllogaritet si afat shtesë mbi kohëzgjatjen e lejes së ndërtimit, lejes së zhvillimit ose lejes për ushtrimin e aktivitetit.


Kjo do të thotë se zhvilluesit nuk do ta humbasin nga afati i lejes kohën gjatë së cilës janë detyruar të ndërpresin punimet për shkak të sezonit turistik.


Për lejet e dhëna përpara hyrjes në fuqi të dispozitave përkatëse ligjore, subjektet zhvilluese duhet t’u drejtohen me kërkesë bashkive, Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit ose autoriteteve të tjera kompetente. Këto institucione do të miratojnë shtyrjen e afatit, duke marrë në konsideratë kohëzgjatjen e pezullimit.


Ndalimi nuk kufizohet vetëm në vijën bregdetare

Vendimi zbatohet në të gjithë brezin bregdetar, sipas përcaktimeve të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, por edhe në qendrat historike, zonat e mbrojtura me funksion turistik dhe qendrat urbane turistike.


Territore të tjera ku regjistrohet fluks i lartë vizitorësh ose zhvillohen aktivitete turistike mund t’i shtohen listës me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.


Pezullimi mund të zbatohet edhe ndaj aktiviteteve të ndërtimit që ndodhen jashtë kufijve formalë të zonave turistike, kur zhurma, pluhuri, ndotja ose mënyra e ushtrimit të tyre mund të ndikojnë në zhvillimin normal të turizmit në zonat përreth.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat