Kreditimi u rrit edhe në qershor, 6-mujori u mbyll me vlerat më të larta historike
Kredia e re për ekonominë vijoi rritjen edhe për qershorin, duke i ruajtur shifrat e deritanishme të vitit 2026 në nivelet më të larta historike.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për qershorin sektori bankar disbursoi 45.3 miliardë lekë kredi të reja, në rritje me 16.7% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Kredia për qershorin shfaqi ecuri pozitive, si në segmentin e bizneseve, që sërish dha kontributin kryesor në rritje, ashtu edhe në atë të individëve.
Për të gjithë 6-mujorin e parë 2026, vlera e kredisë së re arriti në 223 miliardë lekë, 9.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shifrat e deritanishme të këtij viti tregojnë se rritja e kredisë është mbështetur kryesisht në segmentin e bizneseve. Në gjashtë muaj, kredia e re për bizneset arriti në 148.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12.5% krahasuar me një vit më parë.
Kredia për biznesin është rritur në përmasa të përafërta si në monedhën vendase, ashtu edhe në Euro, ndërkohë që sipas qëllimit të përdorimit rritja ka ardhur në masën më të madhe nga kredia për investime.
Edhe kredia për individët është në rritje pozitive për 6-mujorin, megjithëse me ritme pak më të ulëta krahasuar me kredinë për bizneset. Në gjashtë muaj, sektori dha 73.4 miliardë lekë kredi të reja për individët, me një rritje vjetore prej 9.2%.
Ngadalësimi i rritjes së kredisë për individët është e lidhur kryesisht me produktet e kredisë për shtëpi. Për 6-mujorin, kredia e re për shtëpi ka rënë me 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në korrik të vitit të kaluar, nisi zbatimi i masave kufizuese të vendosura nga Banka e Shqipërisë për kredinë për blerje banesash nga individët. Këto masa parashikojnë aplikimin e niveleve tavan të përqindjes së financimit me kredi të pronave dhe të raportit mes kësteve të kredisë dhe të ardhurave. Zbatimi i këtyre masave pati një ndikim modest gjatë gjysmës së dytë të 2025, por ndërkohë ky ndikim duket se po bëhet më i prekshëm gjatë këtij viti.
Rrjedhimisht, rritja e kredisë për individë në gjysmën e parë të këtij viti është mbështetur e gjitha në produktet e kredisë konsumatore.
Në fund të muajit qershor, portofoli apo teprica e kredisë për ekonominë arriti vlerën e 992.8 miliard lekëve, me një rritje prej afërsisht 15 miliardë lekësh krahasuar me muajin maj.
Me bazë vjetore krahasimi, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 11.2%. Me luhatje të vogla mujore, rritja vjetore e kredisë ngelet pranë niveleve më të larta në 18 vitet e fundit.
Në segmentin e individëve, portofoli i kredisë është në rritje me 16.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, për bizneset rritja ngelet në nivele pak më të ulëta, me 9.4% me bazë vjetore.