Sot afati i fundit për dorëzimin e bilanceve, QKB rikujtesë për bizneset
Sot është afati i fundit ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare vjetore të vitit ushtrimor 2025 pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
QKB u bën thirrje të gjitha subjekteve tregtare që kanë këtë detyrim ligjor të përfundojnë depozitimin brenda ditës së sotme, për të shmangur pasojat administrative që parashikon legjislacioni në fuqi.
Sipas të dhënave të QKB, të siguruara nga ekofin.al, deri më 29 korrik 2026 janë depozituar gjithsej 41,081 pasqyra financiare për vitin financiar 2025, ndërsa pritet që numri të rritet më tej gjatë ditëve të fundit të afatit.
Depozitimi i bilanceve kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, duke përdorur shërbimin “Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj)”.
QKB rikujton se mosrespektimi i afatit ligjor sjell pasoja administrative, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9723, datë 3 maj 2007, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, i ndryshuar.
Kur mbajtja e tyre është e detyrueshme sipas ligjit, dokumentacioni që duhet të depozitohet përfshin pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit.
Detyrimin për dorëzimin e pasqyrave financiare e kanë të gjitha subjektet që janë tatimpagues të Tatimit mbi Fitimin Korporativ ose Tatimit mbi të Ardhurat Personale Biznesore, në rastet kur realizojnë një qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë.