Secondary Adv

Rama: Brenda vitit 2028, gati mjetet e para Made in Albania për ushtrinë

Për herë të parë Forcat e Armatosura do të kenë në përdorim mjete ushtarake “Made in Albania”.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e marrjes në dorëzim nga Forcat e Armatosura, të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri nga kompania “Timak Defence” me standardet e NATO-s.


“Brenda vitit 2028, ushtria shqiptare do t’i ketë të gjitha mjetet e kapacitetet, që nga makina më e lehtë deri te armët më të sofistikuara. Nuk do të ketë më asnjë katër rrotak që do i mungojë forcave tona, do ketë flotë mjetesh të madhe sipas standardeve të NATO-s për numër forcash dhe në territor.


Kemi marrëveshje me kolosë të industrisë ushtarake, mos u çudisni kur një ditë të vijnë përsëri këtu dhe të ekspozojnë gjëra të prodhuara këtu, të cilat do t’ja japin edhe ushtrisë amerikane. Prodhim Made in Albania! Kush do ta kishte parafytyruar?!


Kjo është Shqipëria tjetër që kemi ndërtuar dhe që do fillojë të japë të tjera rendimentesh dhe produktesh. 14 zjarrfikëse të reja po prodhohen sot që flasim, ne nuk i kemi bërë dot bashkë në 14 vjet, atëherë kur e morëm Shqipërinë pa zjarrfikëse”, tha Rama


Sipas kryeministrit, ambicia me “Timak Defence” është krijimi i realitetit sipërmarrës “Made in Albania” që do të garantojë sasitë e nevojshme dhe cilësi të lartë për nevojat e shtetit shqiptar, por edhe do të eksportojë prodhimet e veta në vende mike e aleate.


“Baza e logjistikës, do të jetë një kompani e ushtrisë shqiptare në shërbim të gjithë bashkive. Kompani e infrastrukturës, që do bëjë mirëmbajtjen, do bëjë ndërhyrje për infrastrukturën e kanaleve, rrugëve rurale e me radhë. Do të jetë në funksion të emergjencave dhe vazhdimisht në funksion të pushtetit vendor.


Do të hapet Ministria e Mbrojtjes edhe për turizmin, për të krijuar atë që e kanë të gjitha ushtritë e NATO-s, kur vënë në dispozicion asetet e tyre për turizmin. Ka ardhur koha që shteti të jetë partner, kapacitetet të vihen në dispozicion jo vetëm të shërbimit, por edhe të fitimit, për të marrë të ardhura që do të riinvestohen në funksion të qytetarëve”, u shpreh Rama.


Në operacionet e emergjencave civile, këto kapacitete do të rrisin efektivitetin e reagimit ndaj zjarreve, përmbytjeve, kërkim-shpëtimit dhe situatave kritike, veçanërisht në zonat me akses të vështirë.


Ndërsa, në operacionet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian rrisin aftësinë për dislokim dhe ndërveprim të kontingjenteve tona sipas standardeve të përbashkëta në operacione shumëkombëshe.


Burimi: Scan


Më të lexuarat