Secondary Adv

Sot afati i fundit për aplikimet, vetëm 33 kompani transporti kërkuan rimbursim për naftën

Sot është afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për përfitimin e kompensimit të naftës nga kompanitë e transportit publik, por pjesëmarrja në skemën e mbështetjes ka mbetur shumë e ulët.

Nga rreth 260 kompani të regjistruara dhe në funksion në të gjithë vendin, vetëm 33 kanë paraqitur kërkesën për të përfituar rimbursimin, ose rreth 12.7% e totalit.


Skema e miratuar nga qeveria parashikon kompensimin me 50 lekë për litër për karburantin e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026. Mbështetja u dedikohet shoqërive që operojnë linjat e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, ndërsa aplikimet dorëzohen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore.


Megjithëse procesi po mbyllet sot, numri i aplikimeve mbetet larg pritshmërive. Kjo do të thotë se shumica dërrmuese e operatorëve nuk kanë përfituar ende nga skema e kompensimit e ngritur për të përballuar rritjen e kostove të karburantit.


Kjo për disa arsye, më herët Ekofin.al ka publikuar shqetësimet se operatorët nuk kanë ruajtur librat dhe se procesi i aplikimit nuk ka qenë i lehtë.


Burime të Ekofin.al bëjnë me dije se një pjesë e kompanive që kanë aplikuar kanë marrë tashmë edhe masën e subvencionit, ndërsa të tjera janë ende në pritje të përfundimit të procedurave dhe disbursimit të fondeve.


Ndërkohë, operatorët e transportit po përballen me një tjetër problem. Rritja e mëtejshme e çmimit të naftës gjatë muajve të fundit ka bërë që ata të kërkojnë një paketë të dytë rimbursimi, pasi mbështetja aktuale mbulon vetëm konsumin e karburantit për periudhën mars-maj, ndërsa kostot kanë vijuar të rriten edhe më pas.


Përfaqësues të sektorit shprehen se një skemë e re kompensimi është e domosdoshme për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të karburantit mbi aktivitetin e transportit publik.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat