Secondary Adv

Qendra e Shërbimeve Publike në Palasë, Korporata shtyn në 25 shtator afatin e aplikimeve

Korporata e Investimeve Shqiptare ka shtyrë deri më 25 shtator 2026, ora 15:00, afatin e aplikimit në fazën e parë të konkursit ndërkombëtar për projektin “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë”.

Afati i mëparshëm ishte 10 shtatori, çka do të thotë se kandidatët kanë marrë edhe 15 ditë kohë për të paraqitur dokumentacionin, masterplanin dhe projekt-idetë arkitekturore.


Korporata nuk ka përcaktuar ende afatin për fazën e dytë të procedurës, duke e lënë atë për t’u konfirmuar në vijim.


Konkursi synon përzgjedhjen e partnerit privat që do të financojë dhe zhvillojë Qendrën e Shërbimeve Publike në Palasë, ndërsa paralelisht do të ndërtojë dy struktura akomoduese në prona shtetërore në Palasë dhe Dhërmi.


Kriteri bazë financiar parashikon që Korporatës t’i ofrohet të paktën 35% e sipërfaqes totale të zhvillimit të secilës strukturë akomoduese. Sipërfaqja maksimale e ndërtimit është 3,577 metra katrorë në Palasë dhe 2,100 metra katrorë në Dhërmi, ose rreth 5,700 metra katrorë në total.


Kandidatët do të renditen sipas përqindjes së sipërfaqes që do t’i ofrojnë Korporatës mbi pragun minimal prej 35%. Për t’u shpallur fitues, kandidati duhet të marrë çmimin e parë nga juria për masterplanin dhe projekt-idetë arkitekturore, si dhe të paraqesë ofertën financiare më të favorshme për Korporatën.


Privati do të financojë godinat e shërbimeve publike


Projekti përfshin ndërtimin e Qendrës Shëndetësore Verore në Palasë, stacionit të Policisë së Shtetit, stacionit të Policisë Kufitare dhe shërbimit zjarrfikës për zonën Palasë-Dhërmi.


Godinat me funksion publik do të financohen dhe ndërtohen nga partneri privat i përzgjedhur, si pjesë e marrëveshjes për zhvillimin e strukturave akomoduese. Sipas kushteve të procedurës, objektet e para që duhet të ndërtohen janë ambientet e shërbimeve publike në Palasë.


Partneri privat do të përballojë edhe shpenzimet e konkursit ndërkombëtar, hartimin e projekteve të detajuara, taksat dhe tarifat për lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit, mbikëqyrjen e punimeve, regjistrimin e objekteve dhe kalimin e pjesëve përkatëse te partneri publik dhe Korporata.


Konkursi zhvillohet në dy faza


Në fazën e parë, subjektet e interesuara duhet të dorëzojnë dokumentet e kualifikimit, masterplanin për zonën e zhvillimit publik në Palasë dhe tri projekt-ide paraprake arkitekturore.


Pesë kandidatët më të vlerësuar që plotësojnë kriteret do të ftohen në fazën e dytë. Në këtë fazë do të paraqiten veçmas projektet arkitekturore dhe oferta financiare për strukturat akomoduese në Palasë dhe Dhërmi.


Projektet do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare, ndërsa pesë propozimet më të mira do të shpërblehen me çmime. Pas përfundimit të vlerësimit arkitekturor do të hapen ofertat financiare për përzgjedhjen e fituesit të kontratës së sipërmarrjes. Procedura është e hapur për subjekte private ose publike, vendase dhe të huaja, të cilat mund të aplikojnë edhe me nënkontraktorë të specializuar.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat