Secondary Adv

Rritet treguesi i besimit konsumator, priten çmime më të lira në të ardhmen

Treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 1 pikë në muajin korrik, por vlera qëndron 5.4 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Referuar vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, reduktimi i këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e biznesit, ndërsa treguesi i besimit konsumator regjistroi rritje.


Treguesi i besimit të industrisë ra lehtësisht me 0.8 pikë përqindje në muajin korrik, i ndikuar nga vlerësimet më pak optimiste për kontratat porositëse të eksportit. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për prodhimin, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë në rënie krahasuar me ato të një muaji më parë.


Treguesi i besimit në ndërtim ra me 4.6 pikë përqindje në muajin korrik, por qëndron rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë në rritje.


Treguesi i besimit në shërbime ra me 2.4 pikë përqindje, ndërsa por pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë në rritje.


Treguesi i besimit në tregti u reduktua me rreth 3.2 pikë përqindje në muajin korrik, i ndikuar kryesisht nga vlerësime jo optimiste për ecurinë e biznesit. Edhe treguesi i punësimit në të ardhmen dha kontribut rënës, por në masë më të ulët. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rritje.


Treguesi i besimit konsumator regjistroi një vlerë më të lartë me rreth 2.2 pikë përqindjeje. Konsumatorët vlerësuan lehtësisht me rritje të gjithë komponentët përbërës të treguesit: vlerësimin e situatës ekonomike të vendit, situatën e tyre financiare në të ardhmen, si dhe blerjet në shuma të mëdha aktuale dhe në të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat