Asetet e sektorit bankar shqiptar kalojnë vlerën e 25 miliardë eurove
Sektori bankar shqiptar vijoi zgjerimin, me aktivet totale që kaluan 25 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit.

Sektori bankar vijoi rritjen me ritme të larta edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave paraprake dhe të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) totali i aktiveve të sistemit bankar në mesin e vitit arriti në 2.38 trilionë lekë ose rreth 25.3 miliardë euro, në rritje me 3.7% (rreth 85 miliardë lekë) që nga fillimi i vitit dhe me 10% (218 miliardë lekë) krahasuar me mesin e vitit të kaluar.
Banka më e madhe për nga vlera e aseteve ngelet Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me 24.6% të tregut. Pjesa e tregut të BKT u rrit nga niveli 23.9% i një viti më parë. Në vitet e fundit, pesha e BKT në treg ka pasur përgjithësisht një tendencë rënëse, por duket se sidomos gjysma e parë e vitit 2026 e ka përmbysur këtë tendencë dhe banka më e madhe në vend ka rifituar terren në ndarjen e përgjithshme të tregut
Ndjek Credins Bank, me 16.7% të aktiveve, në rritje nga niveli prej 16.6% i një viti më parë.
Raiffeisen Bank mban vendin e tretë, me 14.4% të tregut, por banka e grupit austriak ka pësuar sërish rënie të pjesës së tregut nga niveli prej 14.7% i një viti më parë.
Intesa Sanpaolo po vazhdon edhe këtë vit tendencën disavjeçare rënëse dhe tashmë ka zbritur në 9% të aseteve totale të tregut, ndërsa një vit më parë mbante 9.9%.
Vijon Banka OTP Albania me 8.7% të aktiveve, edhe ajo në rënie krahasuar me pjesën e tregut prej 8.9% që zotëronte një vit më parë.
Tirana Bank ngelet banka me rritjen më të lartë të pjesës së tregut edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Banka e grupit Balfin arriti në 8.1% të totalit të aktiveve, nga 7.6% që zotëronte në mesin e vitit 2025.
Ndjek Banka Amerikane e Investimeve, me 6.8% të tregut, me një rënie të vogël nga niveli prej 6.7% i një viti më parë.
Union Bank po ruan një pjesë tregu të qëndrueshme, me 5.2% të totalit të aktiveve.
Ndjek Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 3.2%, edhe kjo në rritje nga niveli 3% i një viti më parë.
ProCredit Bank Albania zotëron 2.4% të aktiveve, po aq sa mbante në mesin e vitit 2025.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) mbyll renditjen me 1% të tregut, në rënie nga niveli prej 1.1% i një viti më parë.
Edhe 6-mujori 2025 konfirmoi një tendencë të mëtejshme të rritjes së tregut të bankave me kapital vendas dhe rënien e atyre me kapital të huaj. Së bashku, bankat me kapital vendas arritën në 37.8% të aktiveve totale të tregut, nga 37.2% që mbanin një vit më parë.
Vazhdon rritja dyshifrore e kredisë
Rritja e aktiveve të sektorit u mbështet sidomos në zgjerimin e investimeve në instrumente financiarë, por edhe në vijimësinë e rritjes së shpejtë të kreditimit.
Investimet në letra me vlerë arritën në 932 miliardë lekë, në rritje vjetore me 8.4%. Ato përfshijnë investime në titujt e borxhit në Lekë dhe Euro të qeverisë shqiptare, si edhe investime në instrumente financiarë në valutë të huaj të subjekteve jorezidente në Shqipëri.
Ndërkohë, portofoli i kredisë arriti vlerën e 985 miliardë lekëve, në rritje me 6.4% (rreth 59 miliardë lekë) që nga fillimi i vitit dhe me 12.6% (110 miliardë lekë) krahasuar me një vit më parë. Shifrat sipas standardeve IFRS konfirmojnë se rritja e kreditimit është pranë niveleve më të larta në 17 vitet e fundit.
Tregu i kredisë vazhdon të kryesohet nga Credins Bank, me 17.8% të portofolit total të sektorit (në rënie nga niveli prej 18.1% i një viti më parë), e ndjekur nga Raiffeisen Bank, me 15.3% (nga 15.7% një vit më parë), BKT, me 13.9% (nga 13.1% në mesin e vitit 2025), OTP Albania, me 12.9% (nga 13.1% një vit më parë), Tirana Bank, me 10.1% (nga 9.5% një vit më parë), ABI Bank, me 7.1% (nga 7.5% një vit më parë), Intesa Sanpaolo, po me 7.1% (nga 7% një vit më parë), Union Bank, me 6.5% (nga 6.3% një vit më parë), Fibank me 4.1% (nga 3.9% një vit më parë), ProCredit Bank, me 3.9% (nga 4% një vit më parë), dhe UBA, me 1.3% (nga 1.7% një vit më parë).
Burimi: Monitor.al
Më të lexuarat






k.jpg)