Zona turistike Bogë–Theth, 4.5 mln euro investim për të forcuar rrjetin e energjisë
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Shkodër hapi këtë të martë një tender me fond limit 449 milionë lekë, ose mbi 4.5 milionë euro, për ndërtimin e linjës së re elektrike 35 kV Bogë–Theth.
Investimi synon të përmirësojë furnizimin me energji në një nga zonat turistike me rritjen më të shpejtë në veri të vendit, ku rrjeti aktual mbështetet në një linjë 6 kV të ndërtuar rreth viteve ’70, me gjatësi mbi 40 kilometra dhe me rënie të ndjeshme të tensionit.
Sipas projektit teknik, linja e re do të nisë nga nënstacioni i Bogës dhe do të përfundojë pranë Fushë-Thethit. Traseja parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 17.5 kilometrash dhe të ndërtohet me afro 95 shtylla metalike, të projektuara sipas parametrave të linjave 110 kV, por që fillimisht do të operojnë në nivelin 35 kV.
Projekti përfshin gjithashtu instalimin e një kablloje optike me 48 fibra, e cila do të shtrihet përgjatë gjithë linjës, duke krijuar infrastrukturë shtesë për komunikimin dhe kontrollin e rrjetit.
Investimi i paraprin ndërtimit të një nënstacioni të ri 35/6 kV në Theth, i cili pritet të rrisë kapacitetet shpërndarëse dhe të mbështesë zgjerimin e hoteleve, bujtinave dhe bizneseve turistike në zonën e Alpeve Shqiptare.
OSSH parashikon që linja e re të ulë ndjeshëm ndërprerjet e energjisë. Sipas relacionit teknik, treguesi mesatar i kohëzgjatjes së ndërprerjeve, SAIDI, synohet të zbresë nga 85.22 orë në 8.5 orë, ndërsa frekuenca e ndërprerjeve, SAIFI, nga 18.97 në 1.8 pas përfundimit të investimit.
Përveç rritjes së sigurisë së furnizimit, kalimi nga niveli 6 kV në 35 kV pritet të reduktojë humbjet në rrjet dhe të krijojë kapacitete për kërkesën në rritje për energji, të nxitur nga zhvillimi i turizmit në Theth dhe zonat përreth.