Secondary Adv

25 për qind e operatorëve aplikuan për subvencionin e naftës, pengesë informaliteti i të vegjëlve

Më 1 gusht përfundoi afati për aplikimet për subvencionimin e naftës për operatorët e transportit publik.

Për shkak të rritjes së çmimit të naftës e ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, operatorët përfituan kompensim në masën 50 lekë për litër për naftën e periudhës, mars-prill dhe maj. Por interesi për aplikim ka qenë i ulët.


Sipas të dhënave të Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, nga rreth 140 operatorë në të gjithë vendin (110 operatorë kryejnë aktivitet për linjat ndërqytetase dhe 30 për transportin urban në Tiranë) vetëm 35 kanë dorëzuar aplikimin apo rreth 25% e totalit.


Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj thotë se operatorët më të vegjël, të cilët disponojnë vetëm një ose dy mjete, nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit që provon shpenzimet për karburant.


Sipas tij, shumë prej tyre nuk disponojnë faturat e nevojshme për të dokumentuar blerjet e naftës, çka i ka përjashtuar nga skema e mbështetjes.


Memaj paralajmëron se kjo situatë pritet të vështirësojë më tej aktivitetin e operatorëve të vegjël.


Skema parashikoi llogaritjen e kompensimit mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.


Kërkesat dhe dokumentacioni përkatës nga operatorët me qëllim përfitimin e kompensimit janë dorëzuar pranë administratës tatimore.


Por nga ana tjetër rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit ka rënduar sërish kostot operative për kompanitë e sektorit. Për mjetet e transportit p[publik konsumi i naftës është i lartë, dhe kjo vijon të krijojë barrë financiare për operatorët, duke vështirësuar vijueshmërinë normal të aktivitet.


Për rrjedhojë shoqata e transportit publik disa ditë më parë iu drejtuar institucioneve shtetërore me një kërkesë për subvencionim të çmimit të naftës për periudhën qershor-korrik dhe gusht.


“Një operator i licencuar që ka aplikuar ka përfituar kompensim 50 lekë për litër për çmimin deri në 200 litra naftës. Kompensimi ka arritur të mbulojë diferencën e rritjes së çmimit të naftës.


Por çmimet e naftës kanë pësuar sërish rritje dhe është e mjaft e rëndësishme që operatorëve t’i kompensohet edhe për një tjetër periudhë 3- mujore. Dhënia e kompensimit do të ndihmonte në përballimin e kostove shtesë nga rritja e çmimit dhe do të garantonte vijueshmërinë normale të aktivitetit”, pohon Memaj.


Zgjatja e periudhës së kompensimit me 6 muaj ka qenë një kërkesë e kahershme e shoqatave të transportit urban.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat