KLSH: Ndihma ekonomike mbulon vetëm 62 për qind të popullsisë në varfëri ekstreme
Vetëm 62% e popullsisë në varfëri ekstreme përfitonte ndihmë ekonomike në vitin 2023, megjithëse objektivi kombëtar ishte që skema të arrinte mbulim të plotë, në masën 100%, brenda atij viti.
Hendeku prej 38 pikësh përqindjeje tregon se një pjesë e konsiderueshme e personave më të varfër mbeti jashtë mbështetjes financiare.
Gjetja është pjesë e auditimit të performancës të Kontrollit të Lartë të Shtetit për efektivitetin e masave të ndërmarra nga qeveria për zhdukjen e varfërisë. KLSH vlerëson se, megjithëse shumica e aktiviteteve të parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale raportohen si të përmbushura, nuk është bërë një analizë e detajuar pse ndihma ekonomike mbuloi vetëm 62% të popullsisë në varfëri ekstreme.
Nën objektiv mbeti edhe përfshirja e familjeve me ndihmë ekonomike në programet e tjera mbështetëse. Synimi ishte që 75% e këtyre familjeve të përfitonin edhe nga programe të tjera, ndërsa rezultati arriti në 65%, ose 10 pikë përqindjeje më pak.
Në vitin 2023 u trajtuan me ndihmë ekonomike mesatarisht 62 mijë familje, nga rreth 64 mijë familje në vitin 2022. Numri i familjeve përfituese u ul me rreth 2 mijë, ose 3.1%, brenda një viti.
Mbi 40% rrezikojnë varfërinë ose përjashtimin social
Raporti thotë se dobësitë në mbulimin me ndihmë ekonomike shfaqen në një kohë kur 40.5% e popullsisë shqiptare ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social gjatë vitit 2024. Treguesi ka rënë nga 43.2% në vitin 2023 dhe 44.5% në vitin 2022, por mbetet pothuajse dy herë më i lartë se mesatarja prej 21% e vendeve të Bashkimit Evropian.
Rreziku i varfërisë ose përjashtimit social është më i gjerë se varfëria monetare. Ai përfshin edhe privime që lidhen me kushtet e banimit, pamundësinë për të siguruar ngrohje ose ushqim të mjaftueshëm dhe mungesën e punësimit të qëndrueshëm.
Ndërkohë, rreziku për të qenë i varfër, i matur vetëm mbi bazën e të ardhurave, ishte 19.2% në vitin 2024, nga 19.8% në vitin 2023 dhe 20.6% në vitin 2022.
Shqipëria ende pa minimum jetik
KLSH evidenton se Shqipëria nuk ka një përkufizim zyrtar që përcakton se kur një person konsiderohet i varfër dhe nuk ka miratuar ende një vlerë zyrtare të minimumit jetik.
Mungesa e këtij pragu bën që masa e ndihmës ekonomike, politikat e pagave dhe programet e mbrojtjes sociale të mos mbështeten në një vlerë zyrtare të nevojave minimale për një jetesë dinjitoze.
Edhe legjislacioni për ndihmën ekonomike u referohet familjeve dhe individëve “në nevojë”, por pa e lidhur drejtpërdrejt këtë status me një prag të përcaktuar varfërie.
Për këtë arsye, KLSH rekomandon që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me INSTAT-in dhe Ministrinë e Financave, të miratojë brenda vitit 2027 vlerën zyrtare të minimumit jetik. Më pas, ndihma ekonomike, politikat e pagave, programet sociale dhe matja e varfërisë duhet të mbështeten në këtë vlerë.