Secondary Adv

Lejet e ndërtimit trefishuan të ardhurat e bashkive nga taksa e infrastrukturës në 6-mujorin 2026

Bashkitë kanë regjistruar një rritje të pazakontë të të ardhurave gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, të nxitura kryesisht nga shpërthimi i arkëtimeve nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të cilat i disponon ekofin.al, të ardhurat e veta tatimore të bashkive arritën në 34.8 miliardë lekë, ose 15.7 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 82%.


Motori kryesor i kësaj performance ka qenë taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila vetëm në gjysmën e parë të vitit ka sjellë 18.34 miliardë lekë, nga 6.14 miliardë lekë një vit më parë. Kjo përkthehet në një rritje prej 12.2 miliardë lekësh, ose pothuajse trefishim të arkëtimeve.


Pesha më e madhe e kësaj rritjeje vjen nga Bashkia Tiranë, e cila ka arkëtuar 12.47 miliardë lekë, krahasuar me vetëm 2.69 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit 2025. Vetëm Tirana ka gjeneruar afro 9.8 miliardë lekë më shumë nga kjo taksë.


Pas Tiranës renditen Bashkia Himarë, me rritje prej 909 milionë lekësh; Bashkia Sarandë, me 407 milionë lekë më shumë; Bashkia Durrës, me 309 milionë lekë; Bashkia Shkodër, me 307 milionë lekë; Bashkia Lezhë, me 189 milionë lekë; si edhe Bashkia Kavajë, me 167 milionë lekë më shumë.


Sipas analizës së Ministrisë së Financave, kjo rritje lidhet me rifillimin e ritmeve të ndërtimit dhe materializimin e pagesave për lejet e ndërtimit, pasi gjatë vitit 2025 arkëtimet kishin mbetur nën pritshmëri për shkak të ngadalësimit të procesit të lejeve.



Edhe taksa mbi pasurinë ka shfaqur një ecuri pozitive. Në 6-mujorin e parë të vitit, bashkitë arkëtuan 5.92 miliardë lekë, ose 1.2 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, duke regjistruar një rritje prej 25%.


Kontributin më të madh e ka dhënë sërish Bashkia Tiranë, me 3.23 miliardë lekë, e ndjekur nga Vlora, ku arkëtimet u rritën me 346 milionë lekë. Rritje të ndjeshme u regjistruan gjithashtu në bashkitë Cërrik, Elbasan, Vorë, Patos dhe Himarë. Sipas Ministrisë së Financave, rritja është mbështetur kryesisht nga arkëtimet e taksës mbi ndërtesat dhe nga taksat mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme.


Ndërkohë, taksa mbi biznesin e vogël vazhdon të ketë një peshë simbolike. Edhe pse kjo taksë është hequr me ndryshimet ligjore të vitit 2020, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026 janë arkëtuar rreth 13 milionë lekë, që lidhen me detyrime të prapambetura dhe përfaqësojnë vetëm 0.04% të të ardhurave vendore.


Pozitive paraqitet edhe ecuria e të ardhurave të tjera jotatimore, të cilat arritën në rreth 2.1 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 60 milionë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.


Të dhënat konfirmojnë se zgjerimi i aktivitetit të ndërtimit ka qenë faktori dominues në rritjen rekord të të ardhurave të pushtetit vendor gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa përmirësimi i arkëtimeve nga taksa mbi pasurinë ka dhënë gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në forcimin e financave të bashkive, por kjo mbështetur më shumë te efekti “one off” i rivlerësimit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat