Shpallet gara per fizibilitetin e nje aeroporti ne Korce
Ekskluziviteti i imponuar deri në vitin 2016 në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, që tashmë është hequr, ka krijuar kushtet për hapjen e aeroporteve të tjera në rajone të ndryshme të vendit.
Pas procedurës së hapur për një studim fizibiliteti të një aeroporti në Jug, që, sipas kryeministrit Edi Rama, do të realizohet në Vlorë, radha i ka ardhur aeroportit në Korçë. Një gjë të tillë e konfirmon procedura e garës publike, e shpallur të hënën nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të financojë edhe studimin e fizibilitetit për këtë aeroport.
Në dokumentet teknike thuhet se kjo procedurë vjen pas kërkesës së bërë nga bashkitë e zonës. “Termat e Referencës së këtij studimi bazohen në kërkesën që Bashkitë Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll, Maliq dhe Pustec i kanë drejtuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të financuar një studim fizibiliteti për ndërtimin dhe funksionimin e Aeroportit në fushën e Lumalasit (Korçë).
Për këtë qëllim, Këshilli Drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me vendimin Nr. 148, datë 15.12.2016, ka miratuar fondin përkatës për financimin e studimit të fizibilitetit të Aeroportit të Korçës” thuhet në dokument.Ky nuk është studimi i parë që po kryhet për një aeroport në zonën e Korçës. Më herët, në vitin 2007, është kryer një tjetër studim që, sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ofron të dhëna interesante dhe bazë të mirë shifrash për të kryer një studim të ri, që do t’i përshtatej dinamikës së ndryshimeve që kanë ndodhur në këto dhjetë vjet.