Secondary Adv

Portofoli i mikrokredisë pësoi për herë të parë rënie vitin e kaluar

Portofoli i mikrokredisë pësoi rënie për herë të parë rënie vitin e kaluar, pas afërsisht një dekade rritje të vazhdueshme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli total i huasë nga institucionet e licencuara për mikrokredi në fund të 2025 zbriti në 23 miliardë lekë, 4.6% (rreth 1.1 miliardë lekë) më pak krahasuar me një vit më parë.


Sektori i mikrokredisë pati shënuar një rritje të fortë pas vitit 2017, i mbështetur nga modeli i kredive të shpejta konsumatore të sjella në Shqipëri fillimisht nga kompania estoneze e IuteCredit dhe në vijim nga ajo letoneze Kredo Finance.


Ky model ofronte kredi në vlera mesatarisht të vogla, në kohë të shpejtë dhe pa analiza të mirëfillta rreziku; por, çmimi për kreditë e dhëna shpejt dhe lehtë ishin normat shumë të larta interesi.


Deri në vitin 2022, ky model u lejua të zhvillohej pa kufizime, derisa Banka e Shqipërisë vendosi me rregullore një normë tavan interesi për kredinë konsumatore.


Rregullorja solli një ulje graduale të normave të interesit për kreditë e vogla. Aktualisht, NEI maksimal për kreditë deri në 200 mijë lekë është ulur në 51.37%, nga niveli fillestar prej 171.41% i vitit 2022.


Megjithatë, ky aktivitet pësoi një shtrëngim të mirëfilltë rregullator gjatë vitit të kaluar, në vijim të çështjes që preku dy institucionet financiare jobanka, Micro Credit Albania dhe Final.


Këto dy institucione u bënë objekt i një çështjeje penale të çuar për gjykim nga Prokuroria e Tiranës, të akuzuara për shkelje të shumta ligjore në procesin e mbledhjes së kredive të këqija. Në vijim, Banka e Shqipërisë vendosi heqjen e licencës për to.


Megjithëse në vetvete rasti lidhej me kompani të mbledhjes së borxheve të këqija, kjo çështje solli një dëm në imazh edhe për institucionet mikrofinanciare, kryesisht të kredive të shpejta dhe mbi të gjitha solli në vëmendje rreziqet nga mbingarkesa e huamarrësve të vegjël me borxhe, përtej kapaciteteve të tyre paguese.


Çështja në fjalë u bë shkak edhe për një shtrëngim të fortë në kuadrin rregullator të lidhur me mikrofinancën. Masat e reja të Bankës së Shqipërisë hynë në fuqi nga fillimi i vitit 2025.


Banka Qendrore vendosi për herë të parë disa kritere të detajuara, duke përfshirë edhe tregues sasiorë, në praktikat e administrimit të rrezikut në huadhënien konsumatore nga institucionet financiare jobanka.


Një institucion financiar jobankë nuk lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës.


Gjithashtu, është përcaktuar edhe një nivel tavan në raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), që do të llogaritet si vlera e totalit të kësteve mujore të kredive ekzistuese, duke përfshirë edhe kredinë për të cilën po aplikohet, të pjesëtuar me të ardhurat neto të të gjithë bashkëkredimarrësve.


Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 60%.


Banka e Shqipërisë miratoi edhe disa ndryshime në formulën e llogaritjes së normës maksimale efektive të interesit (NEI Maksimal) për kreditë e vogla konsumatorë deri në 200 mijë lekë, duke e zbritur nnivelin maksimal në mesataren e thjeshtë të kredive të dhëna në gjashtëmujorin paraardhës.


Këto masa duket se kanë ndikuar në frenimin e kredisë së dhënë nga institucionet e mikrofinancës.


Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar në Shqipëri vepronin gjashtë institucione financiare të licencuara për veprimtarinë e mikrokredisë.


Megjithatë, vlerësohet se në pjesën dërrmuese portofoli i mikrokredisë i takon dy institucioneve më të mëdha mikrofinanciare në vend, IuteCredit Albania dhe ECFA (ish-Kredo Finance).

Burimi: Monitor


Më të lexuarat