Secondary Adv

Aeroporti i Tiranës thyen çdo rekord në korrik, rritet me 28 për qind numri i pasagjerëve

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka mbyllur muajin korrik me rezultatet më të larta në historinë e tij, duke konfirmuar edhe një herë ritmet e forta të rritjes së trafikut ajror në Shqipëri.

Sipas të dhënave paraprake që disponon ekofin.al, gjatë muajit korrik në terminalin e TIA-s janë përpunuar afro 1.65 milionë pasagjerë, një rritje prej 28% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa rritja vjetore vlerësohet në 19.4%.


Shifrat tregojnë se vetëm brenda një muaji, aeroporti ka arritur të përpunojë rreth 50% të të gjithë trafikut të regjistruar gjatë vitit 2019, një tregues i qartë i transformimit që ka pësuar aeroporti që nga marrja në menaxhim e tij nga Kastrati Group dhe i rritjes së rolit të Shqipërisë si destinacion turistik dhe nyje rajonale e transportit ajror.


Rekordi nuk është vendosur vetëm në nivel mujor. Ekofin.al mëson se më 27 korrik, TIA ka regjistruar ditën më të ngarkuar në historinë e saj, me 58,805 pasagjerë dhe 329 fluturime komerciale, duke vendosur një tjetër rekord absolut për aeroportin.


Këto rezultate vijnë në një periudhë kur kërkesa për udhëtime drejt Shqipërisë vijon të rritet ndjeshëm, e mbështetur nga zgjerimi i rrjetit të destinacioneve, shtimi i frekuencave të fluturimeve dhe investimet e vazhdueshme në infrastrukturën aeroportuale. Gjithashtu ka një rritje dhe zgjerim të destinacioneve dhe fluturimeve direkte nga TIA.


Në muajt e fundit, TIA ka vijuar të zgjerojë kapacitetet për të përballuar fluksin rekord të udhëtarëve, ndërsa investimet e realizuara nga Kastrati Group kanë mundësuar përmirësimin e terminalit dhe të infrastrukturës operacionale, duke krijuar kushte për një numër gjithnjë e më të madh fluturimesh dhe pasagjerësh. Gjithashtu vijojnë fluturimet transoqeanike ne Toronton në Kanada.


Përballimi i ngarkesës në muajt e verës është bërë i mundur falë angazhimit të mijëra punonjësve, duke veçuar personelin e TIA-s, kontrollorët ajrorë të AlbControl, Policinë Kufitare, Doganat dhe Autoritetin e Aviacionit Civil, të cilët kanë garantuar funksionimin normal të operacioneve edhe gjatë ditëve me fluksin më të lartë.


Pas një fillimi të fortë të vitit dhe rekordeve të njëpasnjëshme gjatë sezonit veror, gjithçka tregon se edhe viti 2026 pritet të mbyllet si një tjetër vit historik për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke forcuar pozicionin e tij si aeroporti me rritjen më të shpejtë në rajon dhe një nga motorët kryesorë të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë shqiptare.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat