Secondary Adv

Vetëm 15 për qind e planit vjetor të investimeve u realizua, bashkitë e mëdha mbeten pas

Bashkitë realizuan vetëm 15% të planit vjetor të investimeve në 6-mujorin e parë të vitit 2026, duke vënë në pikëpyetje ritmin e projekteve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga një plan vjetor investimesh prej 53.1 miliardë lekësh, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë shpenzuar deri në fund të qershorit vetëm 7.99 miliardë lekë. Edhe pse niveli i realizimit është përmirësuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit, ritmi mbetet i ulët, sidomos në bashkitë më të mëdha të vendit.


Bashkia Tiranë, e cila ka edhe planin më të madh të investimeve me mbi 16.2 miliardë lekë, ka realizuar vetëm 12% të tij gjatë 6 muajve të parë të vitit. Edhe më e ulët paraqitet ecuria në Bashkinë Vlorë, me vetëm 4% të planit të realizuar, ndërsa Bashkia Durrës dhe Bashkia Fier kanë realizuar nga 7% secila. Edhe Bashkia Himarë, pavarësisht një plani investimesh prej afro 7.9 miliardë lekësh, ka arritur të zbatojë vetëm 9% të tij.


Në vlerë absolute, Bashkia Tiranë kryeson investimet me rreth 1.9 miliardë lekë të shpenzuara në 6-mujorin e parë, e ndjekur nga Bashkia Kamëz me 1.14 miliardë lekë dhe Bashkia Himarë me 703 milionë lekë.


Ndërkohë, disa bashki me plane investimesh më modeste kanë shfaqur ritme dukshëm më të larta realizimi. Bashkia Lezhë ka realizuar 76% të planit vjetor, Bashkia Kamëz 66%, Bashkia Bulqizë 61%, Bashkia Malësi e Madhe 47% dhe Bashkia Kukës 43%, duke dëshmuar një ecuri më të avancuar në zbatimin e projekteve.


Megjithatë, pavarësisht ritmit të ngadaltë të realizimit të planit, investimet vendore kanë shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Shpenzimet kapitale arritën në 7.99 miliardë lekë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, nga 5.95 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke u rritur me rreth 2.04 miliardë lekë ose 34.3%.


Në tërësi, shpenzimet e pushtetit vendor arritën në 42.2 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit, me një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesën më të madhe të tyre vijojnë ta zënë shpenzimet e personelit, me 22.15 miliardë lekë ose 52% të totalit, të ndjekura nga shpenzimet operative me 23%, ndërsa investimet kapitale përbëjnë vetëm 19% të shpenzimeve totale të bashkive.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat