1 mijë biznese në fokus të digjitalizimit, Shqipëria ngre qendrën kombëtare të inovacionit digjital
Shqipëria synon të përshpejtojë transformimin digjital të biznesit përmes inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara.
Në Fletoren Zyrtare janë publikuar disa ndryshime në Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021–2027, ku parashikohet një masë e re për digjitalizimin industrial dhe aksesin në inteligjencën artificiale.
Në fokus është krijimi dhe fuqizimi i Qendrës Evropiane të Inovacionit Digjital, e cila do të funksionojë si një pikë kombëtare mbështetëse për bizneset, startup-et dhe institucionet publike.
Qendra do të ofrojë shërbime për testimin e teknologjive para investimit, trajnime, këshillim teknik dhe mbështetje për integrimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në proceset e biznesit.
Sipas dokumentit, objektivi është që mbi 1 mijë subjekte të përfitojnë nga shërbimet e digjitalizimit, ndërsa rreth 2 mijë profesionistë të trajnohen për aftësi të avancuara teknologjike.
Një tjetër komponent i rëndësishëm është lidhja e Shqipërisë me infrastrukturën evropiane të inteligjencës artificiale përmes programit EuroHPC. Kjo do t’u mundësojë ndërmarrjeve vendase akses në kapacitete të avancuara kompjuterike dhe platforma cloud, pa pasur nevojë për investime të mëdha private.
Masa parashikon gjithashtu forcimin e sigurisë kibernetike të sistemeve industriale dhe integrimin e bizneseve shqiptare në rrjetet evropiane të inovacionit.
Sipas strategjisë, qëllimi final është rritja e konkurrueshmërisë së industrisë shqiptare dhe përfshirja më e madhe e saj në zinxhirët e vlerës të Bashkimit Evropian.