Raporti mes kredive dhe depozitave kaloi nivelin e 50 për qind në 2025
Raporti mes kredive dhe depozitave të sektorit bankar përsëri vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues arriti në nivelin 51.54%, nga 49.55% që kishte qenë një vit më parë.
Rritja e këtij raporti është nxitur nga zgjerimi i shpejtë i kreditimit të ekonomisë vitin e kaluar, përkundrejt një rritjeje më të ngadaltë të depozitave të publikut.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti aktual reflekton një strukturë bilanci që krijon lehtësi në administrimin e likuiditetit si dhe stimuj potencialë në kredidhënie.
Gjatë vitit 2025, treguesi është zgjeruar, për shkak të ritmeve të ndryshme të ecurisë së portofolit të kredisë dhe totalit të depozitave ku portofoli i kredisë ka njohur rritje më të lartë, kundrejt rritjes së depozitave).
Raporti kredi/depozita është më i lartë në monedhën vendase, në nivelin 59.1%, ndërkohë që në valutë ky tregues qëndron në nivelin prej 44.3%. Megjithatë, si në valutë ashtu edhe në monedhën vendase, ky tregues është rritur krahasuar me një vit më parë.
Raporti më i lartë për Lekun ilustron rritjen e shpejtë të kreditimit në monedhën vendase gjatë viteve të fundit, ndërkohë që rritja e depozitave ka ardhur kryesisht në monedhën Euro.
Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 888 miliardë lekëve, me një rritje prej 13.9% krahasuar me një vit më parë. Rritja e portofolit u përmirësua më tej krahasuar me rritjen prej 12.4% të një viti më parë. Kjo ishte njëkohësisht rritja më e lartë e portofolit të kredisë në 16 vitet e fundit.
Rritja vjetore e portofolit total për bizneset ishte 10% (nga 11.4% një vit më parë), ndërsa për individët rritja ishte 19.9% (nga 13.9% një vit më parë).
Sipas monedhës, rritja e kredisë edhe vitin e kaluar u mbështetet sidomos nga financimet në monedhën vendase. Portofoli i kredisë në Lekë arriti në 55.8% të portofolit të kredisë për ekonominë, nga 54.7% që zinte një vit më parë.
Në fund të 2025, vlera totale e depozitave të sistemit bankar arriti në 1.84 trilionë lekë, me një rritje vjetore prej 9.1% krahasuar me një vit më parë. Pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave është rritur në 48.6%, nga 47.6% një vit më parë.
Kjo tregon se depozitat në Lekë u rritën me ritme më të larta vitin e kaluar, megjithëse ecuria e depozitave në valutë të huaj përsëri u ndikua lehtë negativisht nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor.
Shpërndarja e depozitave përgjatë vitit 2025 reflekton një rritje më të lartë në llogaritë rrjedhëse pasuar nga depozita me afat, ndërkohë që depozitat pa afat kanë njohur një rritje të lehtë.