Secondary Adv

Park social e turistik, 333 mln lekë për Eco Park Dumrea, FSHZH hap tenderin

FSHZ ka hapur garën për ndërtimin e Eco Park Dumrea në Belsh, një investim prej 333 milionë lekësh për zhvillimin e turizmit dhe funksioneve sociale.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur hapjen e garës për investime për ngritjen e produkteve turistike në zonat e reja me potencial zhvillimi, zona e Eco Park Dumrea në Belsh, pasurim me funksione të reja, ‘Park Social Edukativ dhe Kulturor. Fondi limit i përllogaritur është 333 milionë e 143 mijë lekë.


Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ky investim synon ta kthejë parkun në një destinacion modern të turizmit natyror, edukativ dhe rekreativ.


Ndërhyrja do të zhvillohet në zonën e liqeneve të Belshit, përgjatë bregut verior të Liqenit të Marinës, një prej pikave më të rëndësishme të sistemit liqenor të Dumresë. Projekti mbështetet mbi karakterin natyror të zonës, duke synuar zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm pa cenuar peizazhin ekzistues.


Koncepti i ri e shndërron Eco Park Dumrea në një park social, edukativ dhe kulturor, ku vizitorët do të kenë mundësi të kombinojnë pushimin në natyrë me aktivitete sportive, rekreative dhe programe edukimi mjedisor.


Sipas dokumentit, parashikohen zona të reja akomodimi me glamping, kamping dhe shtëpi të ngritura mbi pemë, të integruara me mjedisin natyror.


Projekti përfshin ndërtimin e 14 "tree houses", të projektuara për të akomoduar deri në 84 vizitorë, si dhe 14 çadra moderne safari glamping, të pajisura me të gjitha kushtet për përdorim gjatë gjithë vitit.


Një pjesë e rëndësishme e investimit lidhet me krijimin e hapësirave për edukim dhe aktivitete komunitare. Në park do të ndërtohen klasa modulare në natyrë, sera edukative, mini-ferma didaktike, pavijone shumëfunksionale dhe një sallë me kapacitet deri në 250 persona për aktivitete kulturore, trajnime dhe evente.


Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një amfiteatri të hapur, ku do të zhvillohen aktivitete artistike dhe kulturore, si dhe krijimin e një zone të dedikuar për aventurë dhe edukim në natyrë për fëmijë dhe grupe shkollore.


Për të pasuruar ofertën turistike, Eco Park Dumrea do të ketë një pishinë gjysmë-olimpike, restorant, pedonale, zona pikniku, kënde lojërash, fusha sportive dhe paintball, ndërsa zip-line ekzistuese do të vijojë të jetë një nga atraksionet kryesore të parkut.


Sipas projektit arkitektonik, ndërhyrjet do të realizohen me materiale natyrore, si dru dhe gur lokal, duke përdorur teknologji ekologjike, energji të rinovueshme dhe sisteme të qëndrueshme për menaxhimin e ujit dhe mbetjeve.


Objektivi kryesor është krijimi i një destinacioni të ri turistik me standarde bashkëkohore, që tërheq vizitorë vendas dhe të huaj.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat