Publikim i pagave të punonjësve dhe pasaporta digjitale e punësimit, çfarë sjell drafti i ri
Tregu shqiptar i punës pritet të hyjë në një fazë të re zhvillimi, ku informacioni, aftësitë profesionale dhe lidhja me nevojat reale të ekonomisë do të marrin një rol më të madh në politikat e punësimit.

Një projektligj i ri për ndryshimin e ligjit nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit” synon të riformojë mënyrën se si ofrohen shërbimet e punësimit, duke sjellë për herë të parë një sërë mekanizmash të rinj që lidhen me digjitalizimin, transparencën dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Qasja e re synon të largojë modelin tradicional ku institucionet fokusohen kryesisht në regjistrimin e të papunëve, duke kaluar drejt një sistemi aktiv, ku identifikohen aftësitë e individëve, nevojat e kompanive dhe mundësitë konkrete të punësimit.
Një nga risitë më të rëndësishme është krijimi i Pasaportës Digjitale të Punësimit dhe Aftësive, një instrument elektronik që do të mbledhë në një profil të vetëm të dhënat kryesore të karrierës së një individi.
Në këtë dokument digjital do të përfshihen historia e punësimit, profesionet e ushtruara, kualifikimet, trajnimet dhe aftësitë profesionale.
Ndryshimi është i rëndësishëm sepse kalon nga një sistem ku qytetari duhet të provojë me dokumente të ndryshme eksperiencën dhe aftësitë e tij, në një model ku informacioni profesional do të jetë i strukturuar dhe i aksesueshëm për shërbimet e punësimit.
Kjo pritet të lehtësojë procesin e ndërmjetësimit mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, të ndihmojë në orientimin drejt trajnimeve të nevojshme dhe të reduktojë barrën administrative për qytetarët.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rritjen e transparencës në tregun e punës. Për herë të parë parashikohet që punëdhënësit të kenë detyrimin të publikojnë intervalin e pagës për pozicionet e lira të punës.
Kjo masë synon të krijojë një treg më të informuar, ku punëkërkuesit të kenë mundësi të vlerësojnë më mirë ofertat përpara se të aplikojnë, ndërsa institucionet të kenë një panoramë më të qartë mbi nivelet e pagave dhe kërkesën për profesione të ndryshme.
Në një treg ku shpesh mungesa e informacionit mbi pagat është një pengesë për lëvizshmërinë e punonjësve, kjo ndërhyrje synon të përmirësojë efikasitetin e përputhjes mes kërkesës dhe ofertës për punë.
Një tjetër shtyllë e reformës është krijimi i Observatorit të Informacionit të Tregut të Punës dhe Aftësive. Ky mekanizëm do të shërbejë si një sistem kombëtar për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e të dhënave mbi tregun e punës.
Përmes tij synohet që politikat e punësimit të mos hartohen vetëm mbi bazën e statistikave të papunësisë, por mbi informacionin real se cilat profesione kërkohen, cilat aftësi mungojnë dhe cilët sektorë kanë nevojë për fuqi të re punëtore.
Ky ndryshim është veçanërisht i rëndësishëm për një ekonomi që po përballet me një sfidë të re: jo vetëm krijimin e vendeve të punës, por gjetjen e punonjësve me aftësitë që kërkon tregu.
Projektligji sjell gjithashtu një bazë të re ligjore për zbatimin e Garancisë Rinore, një mekanizëm që synon të mbështesë të rinjtë që nuk janë në punësim, arsim apo formim profesional.
Përmes partneriteteve vendore mes institucioneve të punësimit, arsimit, formimit profesional dhe aktorëve socialë, synohet identifikimi më i hershëm i të rinjve që rrezikojnë të mbeten jashtë tregut të punës.
Qëllimi është që të rinjtë të marrin mbështetje përmes orientimit profesional, trajnimeve dhe mundësive konkrete të punësimit, duke shmangur shkëputjen afatgjatë nga tregu i punës.
Një element tjetër me rëndësi strategjike është përgatitja e Shqipërisë për pjesëmarrjen në Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Punësimit (EURES).
Përmes këtij mekanizmi, Shqipëria synon të afrohet me tregun europian të punës, duke krijuar mundësi më të mëdha për shkëmbimin e informacionit mbi vendet e lira të punës dhe lëvizjen e punëtorëve.
Krijimi i Zyrës Kombëtare Koordinuese të EURES-it do të jetë një hap institucional drejt përgatitjes së vendit për integrimin gradual në mekanizmat europianë të punësimit.
Në këtë kuadër, ndryshimet ligjore lidhen drejtpërdrejt edhe me procesin e integrimit europian, veçanërisht me Kapitullin 2 “Lëvizja e lirë e punëtorëve” dhe Kapitullin 19 “Politika sociale dhe punësimi”.
Reforma sjell ndryshime edhe për kategoritë që kanë më shumë vështirësi për t’u integruar në tregun e punës. Përveç punëkërkuesve të papunë, programet aktive të punësimit do të mund të përfshijnë edhe persona që janë aktualisht në punë, por që rrezikojnë humbjen e vendit të punës për shkak të ndryshimeve ekonomike, teknologjike apo ristrukturimit të kompanive.
Gjithashtu, parashikohet mbështetje më e strukturuar për migrantët e kthyer, përmes masave që lidhen me riintegrimin dhe rikthimin në tregun e punës.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)