Mbi 70 mijë vizitorë në Kosovë për një muaj, nga Shqipëria e Turqia vjen rritja më e madhe
Kosova shënoi rritje të vizitorëve në qershor, me Prishtinën, Prizrenin dhe Pejën si destinacionet më të frekuentuara.
Gjatë qershorit të këtij viti, Kosovën e kanë vizituar gjithsej 70 mijë e 234 persona, prej të cilëve 28 mijë e 638 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 41 mijë e 596 vizitorë të huaj.
Në krahasim me qershorin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 63 mijë e 502 vizitorë, numri i përgjithshëm është rritur për 10.6 për qind.
Rritja është veçanërisht e dukshme te vizitorët vendorë, numri i të cilëve është rritur për rreth 19.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, edhe vizitorët e huaj kanë shënuar rritje, me 5.2 për qind.
Nga të dhënat e statistikave të turizmit, Prishtina vazhdon të jetë rajoni me numrin më të madh të vizitorëve, duke u ndjekur nga Prizreni dhe Peja.
Kryeqyteti mbetet pika kryesore ku përqendrohen vizitorët e huaj, por interesimi për Kosovën nuk kufizohet vetëm në Prishtinë. Prizreni dhe Peja vazhdojnë të jenë ndër destinacionet më të frekuentuara, duke reflektuar interesimin për qytetet historike, trashëgiminë kulturore dhe zonat turistike malore.
Kjo tendencë është parë edhe në statistikat e muajve të mëparshëm, ku Prishtina ka dominuar për nga numri i vizitorëve, ndërsa Prizreni e Peja kanë qenë ndër destinacionet kryesore pas saj.
Sa u përket turistëve të huaj, Shqipëria prin me numrin e vizitorëve në Kosovë.
Në qershor 2026, nga Shqipëria kanë ardhur 7 mijë e 628 vizitorë, apo 13 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
“Sa u përket vizitorëve të huaj ne muaj Qershor 2026, krahasuar me periudhën paraprake (Qershor 2025) pati një rritje të vizitorëve për 5.2%.
Në total, 41 596 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh ishte nga: Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra etj, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.
Pas Shqipërisë renditet Gjermania, me 4 mijë e 300 vizitorë. Ky treg ka shënuar një rënie të lehtë prej 1.5%.
Në vendin e tretë vjen Turqia, e cila ka shënuar një rritje të madhe. Në qershor Kosovën e kanë vizituar 3 mijë e 979 persona nga Turqia, që paraqet 36.4% më shumë se një vit më parë.
Nga Zvicra kanë ardhur 3 mijë e 121 vizitorë, me një rritje prej 2%.
Ndërkaq, nga shtetet e tjera janë regjistruar 22 mijë e 568 vizitorë, me një rritje të lehtë prej 0.5%.
Rritja e turizmit shihet edhe përmes numrit të net-qëndrimeve.
Në qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 163 mijë e 739 net-qëndrime, prej të cilave 85 mijë e 783 janë realizuar nga vizitorët e huaj dhe 77 mijë e 956 nga vizitorët vendorë.
Vetëm te vizitorët e huaj, net-qëndrimet janë rritur për 13% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Veçanërisht e madhe është rritja e net-qëndrimeve të vizitorëve nga Turqia, të cilët kanë realizuar 7 mijë e 989 net-qëndrime, apo 72.1% më shumë se në qershorin e vitit 2025.
Edhe vizitorët nga Shqipëria kanë qëndruar më gjatë. Ata kanë realizuar 16 mijë e 644 net-qëndrime, me një rritje prej 41.9%.
Nga Gjermania janë regjistruar 8 mijë e 206 net-qëndrime, ndërsa nga Zvicra 5 mijë e 143, me rritje përkatësisht 5.5 dhe 7.3%.