Secondary Adv

GPS i detyrueshëm për autobusët urbanë dhe rrethqytetës, afati deri më 30 shtator

Kompanitë që ofrojnë transport qytetës dhe rrethqytetës do të duhet të pajisin autobusët me GPS dhe të transmetojnë pandërprerë të dhënat e vendndodhjes së mjeteve në sistemin elektronik të monitorimit të autoritetit kompetent.

Operatorët që kanë licenca dhe certifikata të lëshuara përpara hyrjes në fuqi të rregullave të reja duhet të dorëzojnë dokumentin që vërteton instalimin e pajisjes brenda 30 shtatorit 2026.


Qeveria ka përcaktuar kritere dhe rregulla të reja për lëshimin e licencave dhe certifikatave për ushtrimin e veprimtarisë së transportit rrugor të udhëtarëve brenda vendit.


Referuar udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare, tashmë në fuqi, për marrjen e licencës për shërbimet e rregullta qytetëse dhe rrethqytetëse, shërbimet e specializuara dhe vajtje-ardhje të transportit të udhëtarëve brenda vendit, aplikanti duhet të paraqitet pranë autoritetit përkatës të licencimit. Për shërbimin e rregullt të transportit ndërqytetës të udhëtarëve, aplikimi kryhet nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania, sipas legjislacionit në fuqi.


GPS kusht për licencimin

Sipas udhëzimit, shoqëritë e transportit qytetës dhe rrethqytetës, për marrjen e licencës në shërbimet e rregullta, të rregullta të specializuara dhe vajtje-ardhje të transportit të udhëtarëve brenda vendit, përveç dokumentacionit të kërkuar deri më tani, duhet të paraqesin pranë autoritetit përkatës të licencimit edhe dokumentin që vërteton instalimin e pajisjes GPS.


Dokumenti duhet të lëshohet nga një subjekt i licencuar dhe të vërtetojë instalimin e Sistemit Global të Pozicionimit në autobus. Pajisja elektronike merr sinjale nga satelitët për të përcaktuar me saktësi vendndodhjen, shpejtësinë e lëvizjes dhe kohën e udhëtimit të autobusit.


GPS-ja duhet gjithashtu të gjenerojë dhe të transmetojë pandërprerë të dhënat mbi vendndodhjen e autobusit në sistemin elektronik të monitorimit të autoritetit kompetent.


Afati deri më 30 shtator 2026

Subjektet që janë pajisur me licencë dhe certifikata përpara hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri kanë detyrimin që dokumentin që vërteton instalimin e GPS-së ta dorëzojnë brenda datës 30 shtator 2026.


Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu që subjektet e transportit të dorëzojnë rregulloren e udhëtimit, të hartuar nga vetë operatori transportues. Në këtë dokument duhet të përfshihen edhe dispozitat që përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e udhëtarëve.


Rregullorja e udhëtimit do të dorëzohet në momentin e rinovimit të licencës ose të certifikatës përkatëse.


Burimi: Scan


Më të lexuarat