Secondary Adv

Viti 2025, më shkatërruesi nga zjarret në dekadën e fundit, dëmet në bujqësi u shumëfishuan

Viti 2025 rezultoi një nga më të vështirët për Shqipërinë sa u përket fatkeqësive natyrore.

Zjarret prekën dhjetëra mijë hektarë, ndërsa sipërfaqja e tokës bujqësore të dëmtuar nga fatkeqësitë u rrit nga 6,867 hektarë në vitin 2024 në 63,555 hektarë. Dëme të konsiderueshme u regjistruan edhe në blegtori dhe banesa, ndërsa fundi i vitit u shoqërua me përmbytje në disa qarqe.


Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë vitit 2025 u regjistruan 1,457 ngjarje të lidhura me fatkeqësitë natyrore, nga 1,676 një vit më parë. Edhe pse numri i ngjarjeve ra me 219 raste, dëmet ekonomike në disa sektorë u rritën ndjeshëm.


Treguesi më alarmues lidhet me bujqësinë. Sipërfaqja e tokës bujqësore të dëmtuar arriti në 63,555 hektarë, nga vetëm 6,867 hektarë në vitin 2024, një rritje me mbi 56,600 hektarë dhe më shumë se nëntë herë krahasuar me një vit më parë.


Situata ishte e rëndë edhe në blegtori. Numri i krerëve të dëmtuar u rrit nga 226 në vitin 2024 në 14,107 gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej afro 62 herësh.


Rritje pati gjithashtu në numrin e banesave të prekura. Banesat e dëmtuara arritën në 1,101, ose 323 më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i banesave të shkatërruara u rrit nga 84 në 190.


Në anën tjetër, u regjistrua një ulje e viktimave. Humbjet e jetës ranë nga 50 në 31 persona, ndërsa numri i të plagosurve u përgjysmua, duke zbritur nga 120 në 57.


Zjarret dominuan emergjencat gjatë vitit 2025

Pjesa dërrmuese e emergjencave lidhej me zjarret. Nga 1,457 ngjarje të regjistruara gjatë vitit, 1,415 ishin zjarre. Ato shkaktuan 10 viktima dhe 46 të plagosur, ndërsa 190 banesa u shkatërruan dhe 268 të tjera u dëmtuan. Zjarret shkaktuan gjithashtu dëmtimin e 56,692 hektarëve tokë bujqësore dhe humbjen e 978 krerëve blegtori.


Ministria e Financave, duke iu referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), e cilëson vitin 2025 si një nga sezonet më shkatërruese të zjarreve në më shumë se një dekadë.


Sipas të dhënave, zjarret dogjën 62,943 hektarë sipërfaqe në të gjithë vendin, ndërsa u regjistruan 2,743 vatra zjarri. Vetëm 193 prej tyre ishin zjarre masive, por këto përbënin mbi gjysmën e sipërfaqes së djegur. Vetëm 18 zjarre ishin përgjegjëse për 52.7% të të gjithë sipërfaqes së përfshirë nga flakët.


Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan mbi 30 mijë efektivë të strukturave vendore dhe qendrore, 2,284 mjete, si dhe dy helikopterët e Forcës Ajrore, të cilët realizuan më shumë se 120 misione.


Shumica e rasteve të raportuara nuk lidhen me temperaturat ekstreme, por me zjarrvënien e qëllimshme ose me pakujdesinë njerëzore.


Përmbytjet goditën disa qarqe në fund të vitit

Një tjetër episod i rëndë ishte vala e reshjeve intensive gjatë periudhës 17–26 nëntor 2025, e cila shkaktoi përmbytje në disa qarqe të vendit.


Më të goditurit ishin qarqet Vlorë, Lezhë, Korçë, Berat dhe Dibër, ku u dëmtuan argjinatura, ura, rrugë rurale dhe mijëra hektarë tokë bujqësore. Vetëm në qarkun e Vlorës u përmbytën mbi 1,200 hektarë, ndërsa në Lezhë mbi 500 hektarë.


Shqipërisë i duhen rreth 6 miliardë dollarë për mbrojtjen nga rreziqet klimatike

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, Shqipëria duhet të investojë rreth 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të rritur rezistencën ndaj fatkeqësive të lidhura me ndryshimet klimatike.


Sipas Ministrisë së Financave, pavarësisht përmirësimeve në sistemin e mbrojtjes civile dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, sfidat mbeten të mëdha. Për këtë arsye, nevojiten investime të mëtejshme në masa parandaluese, sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe infrastrukturë më rezistente ndaj fatkeqësive natyrore.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat