Secondary Adv

Pas 20 vitesh, Shqipëria ndalon importin e mishit nga Brazili

Shqipëria do të ndërpresë importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili duke nisur nga 3 shtatori 2026, pas ndryshimeve të miratuara në Bashkimin Europian.

Vendimi prek një prej furnizuesve kryesorë të tregut shqiptar dhe industrisë së përpunimit të mishit gjatë dy dekadave të fundit.


Ndërprerja e marrëdhënies tregtare vjen pas vendimit të Bashkimit Europian lidhur me furnizimin me produkte me origjinë shtazore nga Brazili. Qëndrimi është mbështetur unanimisht nga ekspertët e shteteve anëtare, për shkak të përdorimit të medikamenteve veterinare që rrisin masën muskulare të kafshëve.


Top Channel ka siguruar një shkresë përcjellëse, përmes së cilës Ministria e Bujqësisë i sqaron Autoritetit Kombëtar të Ushqimit mënyrën se si duhet të veprojë me operatorët që importojnë mish nga Brazili.


“Në këto kushte, për sa kohë që Urdhri i Ministrit I.2006 e kushtëzon importimin me miratimin nga BE-ja të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, ndryshimet e sjella me Rregulloren Zbatuese të Komisionit 2026 reflektohen drejtpërdrejt në zbatimin e këtij urdhri.”


Ndërprerja e importeve nis më 3 shtator

Ministria i kërkon AKU-së të marrë masat e nevojshme për të informuar bizneset që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili për ndryshimet dhe ndërprerjen e importeve.


“Për sa më lart, AKU të marrë të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e operatorëve të biznesit që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili mbi ndryshimet e mësipërme, zbatimi i të cilave fillon nga data 3 shtator 2026.”


Prej vitit 2006, Brazili ka qenë një nga furnizuesit kryesorë të Shqipërisë me mish viçi, derri, lope dhe pule. Produktet e importuara nga ky vend kanë qenë gjithashtu një burim i rëndësishëm furnizimi për industrinë vendase të përpunimit të mishit.


28.5 milionë dollarë importe në vitin 2024

Sipas të dhënave nga WITS të Bankës Botërore, në vitin 2024 Shqipëria importoi nga Brazili 28.5 milionë dollarë mish dhe të brendshme, nga të cilat 10.1 milionë dollarë i përkisnin mishit dhe kategorisë së shpendëve.


Ndërprerja e importeve nga Brazili krijon nevojën që tregtarët dhe industria e përpunimit të orientohen drejt tregjeve të tjera për të siguruar furnizimin. Krahas çmimit dhe sasive të nevojshme, një nga kriteret kryesore për burimet e reja të furnizimit do të jetë garantimi i standardeve të sigurisë ushqimore.


Burimi: Ekofin


Më të lexuarat