Secondary Adv

Unaza e Burrelit sërish në tender, 930 mijë euro të tjera për rrugën që u shemb

Unaza e Poshtme e Burrelit rikthehet në tender pas shembjeve që pësoi vetëm një muaj pas përfundimit të punimeve.

Për riparimin e segmentit prej 960 metrash është parashikuar një fond limit prej 90.3 milionë lekësh, rreth 930 mijë euro, duke e çuar koston totale të rrugës në mbi 2.2 milionë euro.

Ndërtimi fillestar i Unazës së Poshtme të Burrelit kushtoi rreth 1.3 milionë euro. Megjithatë, vetëm një muaj pas përfundimit të punimeve, rruga pësoi katër shembje të mëdha, duke u bërë e pakalueshme.

Pas dëmtimit të segmentit, Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaroi se do të kryente një ekspertizë të thelluar për të përcaktuar shkaqet e shembjeve dhe zgjidhjen e problemit. Ndërkohë që përgjegjësitë për investimin e parë mbeten ende të paqarta, për ndërhyrjen e re do të përdoren fonde shtesë nga buxheti i shtetit.

Për riparimin e Unazës së Poshtme të Burrelit është zhvilluar një tender me fond limit 90.3 milionë lekë, ose rreth 930 mijë euro. Fitues është shpallur kompania “2N” sh.p.k., me administrator Ndriçim Stojkun, e cila ka paraqitur një ofertë prej 87 milionë lekësh.

Sipas parashikimeve të ekspertëve, ndërhyrja do të përfshijë ndërtimin e pilotave në një gjatësi prej rreth 300 metrash, me qëllim forcimin e trasesë së dëmtuar nga rrëshqitjet.

Me fondet e reja për riparimin, kostoja totale e segmentit prej vetëm 960 metrash arrin në mbi 2.2 milionë euro, duke përfshirë investimin fillestar dhe ndërhyrjen e parashikuar për rehabilitimin e tij.

Unaza e Poshtme e Burrelit ishte ndërtuar me qëllim shmangien e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë përmes qytetit. Megjithatë, për shkak të dëmtimeve të shfaqura menjëherë pas përfundimit, rruga nuk arriti të kryente funksionin për të cilin ishte realizuar.

Ndërsa buxhetit të shtetit i shtohet një tjetër faturë prej rreth 930 mijë eurosh për riparimin, mbetet ende e paqartë se kush do të mbajë përgjegjësi për investimin fillestar prej rreth 1.3 milionë eurosh, i cili pësoi dëmtime të mëdha vetëm një muaj pas përfundimit të punimeve.


Burimi: Ballkan Web


Më të lexuarat