Ushtria lë pas rrugët dhe ujësjellësit në financimet e buxhetit, 70 mln euro në 6-mujor
Investimet në mbrojtje kanë zënë vendin kryesor mes projekteve me financimin më të lartë nga buxheti gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Vetëm pesë prej projekteve më të mëdha ushtarake morën rreth 6.9 miliardë lekë, ose më shumë se 70 milionë euro.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, financimet më të mëdha janë përqendruar te modernizimi i Forcave të Armatosura, duke përfshirë armatimin, Shkollën e Aviacionit, sistemin e integruar të vëzhgimit të hapësirës dhe mbrojtjen kundër dronëve. Përmasat e financimeve bëjnë që projektet ushtarake të lënë pas investimet individuale në rrugë, ujësjellës, zhvillim urban dhe teknologji.
Mbi 2.1 miliardë lekë për armatim dhe municione
Projekti me financimin më të lartë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 është ai për “Armatim të lehtë, municion dhe pajisje”, i administruar nga Reparti Ushtarak nr. 1001 në Tiranë. Për periudhën janar-qershor u akorduan rreth 2.11 miliardë lekë, ndërsa plani vjetor arrin në 3.43 miliardë lekë.
Ndër projektet më të financuara renditet edhe ngritja e Shkollës së Aviacionit në Vlorë, me rreth 1.59 miliardë lekë gjatë gjashtëmujorit të parë. Vlera e përgjithshme e pasqyruar për këtë projekt arrin në 1.64 miliardë lekë.
Dy investime të tjera të rëndësishme lidhen drejtpërdrejt me forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore. Rreth 1.54 miliardë lekë u dhanë për planifikimin e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës, ndërsa 1.52 miliardë lekë shkuan për ndërtimin e sistemit kundër dronëve C-UAS.
Këto tri investime administrohen nga Reparti Ushtarak nr. 3001 në Tiranë dhe, së bashku me projektin për armatimin e lehtë, përfaqësojnë pjesën dërrmuese të financimeve të mëdha në fushën e mbrojtjes. Në listë përfshihet edhe një projekt tjetër ushtarak prej rreth 147 milionë lekësh për ndërtimin e objekteve dhe kryerjen e punimeve të rikonstruksionit.
Në total, pesë projektet më të mëdha ushtarake të evidentuara morën rreth 6.9 miliardë lekë, ose më shumë se 70 milionë euro, në gjashtëmujorin e parë, nga rreth 8.4 miliardë lekë të programuara për to gjatë gjithë vitit 2026.
Rrugët me financime më të ulëta për projekt individual
Pas mbrojtjes, financimi më i madh për një projekt individual shkoi për Projektin e Zhvillimit të Integruar Urban, të administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili përfitoi 1.97 miliardë lekë gjatë gjashtëmujorit të parë. Një tjetër zë i rëndësishëm ishte kontrata koncesionare/PPP për financimin e Rrugës së Arbrit, me 1.39 miliardë lekë.
Ndër projektet rrugore, aksi Elbasan–Papër mori 651.5 milionë lekë, ndërsa segmentet e rrugës Qukës–Qafë Plloçë u financuan sipas loteve të veçanta me 550 milionë, 534.7 milionë dhe 280 milionë lekë.
Për zgjerimin e rrugës Elbasan–Qafë Thanë, projekti më i madh mori 526.1 milionë lekë. Në aksin Papër–Ura e Grykshit, financimet për disa lote arritën përkatësisht në 442 milionë, 381.5 milionë dhe 187.6 milionë lekë.
Zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës mori dy financime, përkatësisht prej 434.9 milionë dhe 164.6 milionë lekësh, ndërsa për rrugën Berat–Ballaban, Loti 2, u dhanë 389.2 milionë lekë.
Mbi 1.1 miliardë lekë për projekte të ujësjellës-kanalizimeve
Financime të konsiderueshme u drejtuan edhe në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Projekti “Infrastruktura Bashkiake V”, i administruar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, përfitoi rreth 632.3 milionë lekë. Furnizimi me ujë i zonave bregdetare mori rreth 274.7 milionë lekë, ndërsa projekti i kanalizimeve të Tiranës së Madhe u financua me 236 milionë lekë.
Në bujqësi u dhanë rreth 587.7 milionë lekë për përfituesit e Programit IPARD II, ndërsa Programi IPARD III vijon të jetë i bllokuar.
Financime për Policinë dhe teknologjinë
Në fushën e sigurisë publike, ndër financimet më të mëdha ishte sistemi i kamerave të Policisë së Shtetit, me rreth 462 milionë lekë, ndërsa për pajisjet e Policisë së Rendit u akorduan 431.1 milionë lekë.
Teknologjia përfshihet gjithashtu mes sektorëve të financuar. Zbatimi i projektit “e-Albania 2.0” dhe zhvillimi i faqeve përkatëse morën rreth 302.2 milionë lekë. Sistemi i centralizuar “e-Gjoba” u financua me 236.8 milionë lekë, ndërsa për programet kompjuterike të gjykatave u dhanë rreth 157.5 milionë lekë.
Shpërndarja e fondeve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 tregon peshën e lartë që kanë marrë investimet në modernizimin e ushtrisë. Vetëm katër projektet kryesore ushtarake përfituan së bashku rreth 6.8 miliardë lekë, ndërsa me përfshirjen e projektit për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve ushtarake, financimi i pesë projekteve arrin në rreth 6.9 miliardë lekë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)