BSH: Çmimet e naftës furnizojnë pasiguritë, qiratë dhe ushqimet mbajnë lart inflacionin
Banka e Shqipërisë sheh vijim të rritjes ekonomike, punësim dhe kreditim të fortë, por paralajmëron se zgjatja e goditjes nga çmimet e energjisë mund të rrisë inflacionin dhe të ngadalësojë më tej ekonominë.
Ekonomia shqiptare po hyn në një fazë me pasiguri më të larta, të lidhura kryesisht me ecurinë e çmimeve të naftës dhe lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare. Në Raportin Tremujor të Politikës Monetare 2026/II, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia vijon të rritet, papunësia ndodhet pranë niveleve më të ulëta historike, kreditimi po zgjerohet me ritme dyshifrore dhe sektori bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar. Megjithatë, goditja energjetike ka ndryshuar profilin e rreziqeve për ekonominë gjatë vitit 2026.
Sipas Bankës së Shqipërisë, sa më gjatë të zgjasë goditja energjetike, aq më i madh bëhet rreziku për rritjen e inflacionit dhe ngadalësimin e aktivitetit ekonomik. Në skenarin bazë, ku konflikti në Lindjen e Mesme përfundon shpejt dhe çmimet e naftës normalizohen gradualisht, efektet në ekonominë shqiptare pritet të jenë të kufizuara dhe afatshkurtra. Në një skenar më të rënduar, presionet inflacioniste mund të intensifikohen, ndërsa rritja ekonomike mund të ngadalësohet më ndjeshëm.
Nafta përbën 61 për qind të konsumit të energjisë
Një nga gjetjet kryesore të raportit lidhet me ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj luhatjeve të çmimeve të naftës. Sipas Bankës së Shqipërisë, nafta përbën rreth 61 për qind të konsumit total të energjisë në vend, duke e bërë ekonominë të ndjeshme ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.
Ekspozimi është veçanërisht i lartë te bizneset, të cilat përfaqësojnë rreth 78.3 për qind të konsumit të naftës, ndërsa familjet zënë rreth 21.7 për qind. Ndër sektorët më të ekspozuar janë transporti, industria përpunuese, akomodimi dhe ndërtimi. Në nivel ekonomie, shpenzimet për lëndë djegëse përfaqësojnë rreth 6.4 për qind të kostove totale.
Rritja e çmimit të naftës mund të transmetohet në ekonomi përmes kostove më të larta të bizneseve, të cilat më pas mund të reflektohen në çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Në të njëjtën kohë, karburantet më të shtrenjta reduktojnë fuqinë blerëse të konsumatorëve, duke krijuar një efekt të dyfishtë me presione më të larta inflacioniste dhe dobësim të aktivitetit ekonomik.
Qiratë dhe ushqimet japin rreth 70 për qind të inflacionit
Inflacioni mesatar në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 2.5 për qind, duke u rritur me 0.3 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas raportit, rritja është ndikuar kryesisht nga ushqimet dhe qiratë, ndërsa më pas presione shtesë kanë ardhur edhe nga çmimet e karburanteve.
Veçanërisht e fortë ka qenë rritja e çmimeve të qirave. Inflacioni i qirave arriti në 7.5 për qind në tremujorin e parë, nga 7.1 për qind në tremujorin paraardhës, ndërsa gjatë muajve janar dhe shkurt preku nivelin rekord prej 7.7 për qind.
Vetëm qiratë kontribuuan me rreth 1 pikë përqindje në inflacionin total. Së bashku me ushqimet, ato përbënë rreth 70 për qind të inflacionit total gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.
Kjo tregon se presioni mbi buxhetet e familjeve shqiptare nuk lidhet vetëm me shtrenjtimin e karburanteve. Kostot e strehimit dhe ushqimet vazhdojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që mbajnë të larta presionet inflacioniste, ndërsa ecuria e çmimeve të energjisë mbetet një nga burimet kryesore të pasigurisë për muajt në vijim.