Secondary Adv

Skemat, 13 Gushti afati i fundit për fermerët për plotësimin e dokumenteve

Fermerët e shpallur fitues për masat 5 deri në 7 dhe masën 9 të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 kanë afat deri më 13 gusht për të plotësuar dokumentacionin dhe kushtet e përfitueshmërisë.

Data 13 gusht është afati i fundit për paraqitjen e dokumenteve shtesë nga fermerët e shpallur fitues për disa prej masave të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka njoftuar se respektimi i afatit është kusht për përfitimin e mbështetjes financiare.


Për përfituesit e masave 1 deri në 4, lista e të cilëve u bë publike më 21 korrik, afati i fundit për plotësimin e kushteve ishte 10 gusht 2026. Ndërsa për fermerët e shpallur fitues në listat e aplikimeve për masat 5 deri në 7 dhe masën 9, të publikuara më 24 korrik 2026, afati përfundimtar është 13 gusht 2026.


Dokumentet pas afatit nuk do të shqyrtohen


Aplikantët e shpallur fitues duhet të plotësojnë dokumentacionin përkatës dhe të përmbushin të gjitha kushtet e përfitueshmërisë brenda afateve të përcaktuara. AZHBR bën të ditur se dokumentacioni i dorëzuar pas përfundimit të afatit nuk do të merret në shqyrtim, ndërsa aplikantët që nuk plotësojnë dokumentet e kërkuara në kohë do të skualifikohen nga skema mbështetëse.


Mbi 42 mijë aplikime për Skemën Kombëtare


Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka regjistruar gjithsej 42,728 aplikime nga fermerët në të gjithë vendin. Vlera e kërkesave për financim ka arritur në 7.2 miliardë lekë, ndërsa fondi i vënë në dispozicion është 5.2 miliardë lekë.


Qarku i Fierit kryeson për numrin e fermerëve aplikues, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora, qarqe që mbajnë një peshë të rëndësishme në prodhimin bujqësor të vendit.


Skema përfshin 12 masa mbështetëse


Këtë vit, Skema Kombëtare është organizuar në 12 masa mbështetëse, të ndara në 9 masa direkte dhe 3 masa investimesh. Masat direkte përfshijnë mbështetjen për tufën bazë të gjedhit, tufën bazë të të imtave, bletarinë, dosat dhe paradosat, kontrollin biologjik, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., sipërfaqet e mbjella dhe ripopullimin e ujërave të brendshme.


Interesi më i lartë është regjistruar për mbështetjen e tufës bazë të të imtave, me 7,236 aplikime, e ndjekur nga bletaria me 7,016 aplikime dhe tufa bazë e gjedhit me 6,732 aplikime.


Tre masat e investimeve përfshijnë mbështetjen e fermerëve të rinj deri në 40 vjeç, ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve dhe mekanizimin e bujqësisë. Përmes tyre synohet ulja e kostove të prodhimit, rritja e cilësisë së produkteve, përmirësimi i standardeve dhe nxitja e praktikave të qëndrueshme bujqësore.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat