Autonomia fiskale, vetëm 8 bashki sigurojnë mbi 50 për qind të të ardhurave vetë
Vetëm një grup i vogël bashkish të mëdha ose turistike arrin të financojë pjesën më të madhe të buxhetit me të ardhurat e veta, ndërsa shumica e njësive vendore vazhdojnë të varen ndjeshëm nga transfertat e buxhetit të shtetit.
Autonomia fiskale mbetet e ulët për pjesën dërrmuese të bashkive të vendit, duke dëshmuar varësinë e fortë të pushtetit vendor nga transfertat e qeverisë qendrore. Sipas të dhënave të Ministrisë për Çështjet Vendore, në vitin 2025 vetëm tetë nga 61 bashkitë e vendit qëndrojnë mbi mesataren kombëtare prej 43.1 për qind, ndërsa diferencat ndërmjet njësive vendore janë të thella.
Himara kryeson renditjen me një nivel të autonomisë fiskale prej rreth 90 për qind. Pas saj renditen Kavaja, Tirana dhe Kamza, me tregues që luhaten afërsisht nga 65 deri në 70 për qind. Mbi mesataren kombëtare qëndrojnë gjithashtu Saranda, Vlora, Durrësi dhe Vora.
Tirana ka bazën më të gjerë të të ardhurave
Tirana paraqitet si një rast i veçantë për shkak të madhësisë së ekonomisë, përqendrimit të bizneseve, tregut të pasurive të paluajtshme, sipërfaqeve të mëdha të dhëna për leje ndërtimi dhe numrit të lartë të banorëve. Këta faktorë i sigurojnë bashkisë një bazë shumë më të gjerë të ardhurash krahasuar me njësitë e tjera vendore. Megjithatë, kryeqyteti nuk kryeson renditjen, pasi Himara ka një raport më të lartë ndërmjet të ardhurave të veta dhe burimeve të përgjithshme financiare.
Menjëherë poshtë mesatares kombëtare renditet Lezha, me një nivel pranë 43 për qind, e ndjekur nga Shijaku, Korça, Shkodra dhe Roskoveci. Për një pjesë të këtyre bashkive, të ardhurat e krijuara në nivel vendor mbulojnë vetëm rreth një të tretën e burimeve financiare.
17 bashki kanë autonomi fiskale nën 10 për qind
Në pjesën më të madhe të bashkive, autonomia fiskale zbret nën 30 për qind. Fieri, Berati, Gjirokastra, Elbasani, Lushnja dhe Pogradeci pozicionohen në intervalin rreth 20–30 për qind, dukshëm poshtë mesatares kombëtare. Edhe bashki me peshë relativisht të madhe ekonomike, si Elbasani dhe Fieri, nuk arrijnë të sigurojnë një nivel të lartë të të ardhurave të veta.
Situata është më problematike në bashkitë e vogla dhe me bazë të kufizuar ekonomike. Në fund të renditjes gjenden Hasi dhe Memaliaj, ku autonomia fiskale është vetëm rreth 3 për qind. Nivele shumë të ulëta regjistrohen gjithashtu në Këlcyrë, Kurbin, Pustec, Klos dhe Tropojë.
Në total, 17 bashki kanë autonomi fiskale nën 10 për qind. Në këtë grup përfshihen edhe Delvina, Malësia e Madhe, Prrenjasi, Kukësi, Peqini, Mirdita, Libohova, Gramshi, Bulqiza dhe Dibra. Këto njësi vendore kanë mundësi shumë të kufizuara për të financuar shërbimet dhe investimet përmes të ardhurave që mbledhin vetë.
Pa Tiranën, autonomia fiskale zbret në 34.9 për qind
Autonomia fiskale në nivel kombëtar arriti në 43.1 për qind në vitin 2025, por mesatarja ndikohet ndjeshëm nga pesha e Tiranës. Pa përfshirë kryeqytetin, autonomia agregate zbret në 34.9 për qind, ndërsa mediana e 61 bashkive është vetëm 16.9 për qind. Kjo tregon se bashkia tipike shqiptare financon me burimet e veta më pak se një të gjashtën e buxhetit.
Mesatarja e autonomisë sipas qarqeve lëviz nga rreth 6.1 për qind në Kukës dhe 8.2 për qind në Dibër, deri në intervalin 38–56 për qind në qarqet Durrës, Vlorë dhe Tiranë.
Bashkitë me autonominë më të lartë fiskale ndjekin kryesisht dy profile: ekonomi urbane me dendësi të lartë dhe bazë të gjerë taksapaguesish, si Tirana, Durrësi dhe Kamza, ose ekonomi bregdetare të mbështetura nga turizmi dhe tregu i pasurive të paluajtshme, si Himara, Saranda, Vlora dhe Kavaja. Asnjë bashki e brendshme malore nuk i afrohet mesatares kombëtare.
Bashkitë e vogla varen fort nga transfertat e qeverisë
Ana tjetër e autonomisë fiskale është varësia nga fondet e qeverisë qendrore, e matur përmes raportit të transfertës së pakushtëzuar ndaj të ardhurave të veta. Bashkitë e mëdha dhe me bazë më të gjerë tatimore varen më pak nga këto fonde. Varësia është 22 për qind në Tiranë, 25 për qind në Vlorë dhe Sarandë dhe 39 për qind në Durrës.
Në kahun tjetër, bashkitë e vogla dhe periferike varen në një masë shumë më të madhe nga transfertat. Këlcyra, Pusteci, Hasi dhe Memaliaj kanë marrë nga qeveria qendrore fonde në nivele 8 deri në 13 herë më të larta sesa të ardhurat që arrijnë të sigurojnë vetë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)