Qiratë e papërballueshme po largojnë familjet e reja nga Tirana
Çmimet e larta të qirave në Tiranë po nxisin një fenomen të ri në tregun e banimit.
Familjet e reja, veçanërisht ato të shtresës së mesme, po zhvendosen drejt Elbasanit dhe Durrësit, ndërsa vazhdojnë të punojnë në kryeqytet, për të përballuar më lehtë kostot e strehimit.
Në fillim të muajit korrik, çmimi mesatar i apartamenteve me qira për të gjitha tipologjitë e pronave për banim në kryeqytet arriti në 721 euro në muaj. Llogaritja e qirasë mesatare është mbështetur në të dhënat për transaksionet e qirave të agjencisë imobiliare CPM, të vëna në dispozicion për Monitor.
Me këtë nivel të qirasë dhe duke marrë si referencë pagën mesatare mujore bruto të publikuar nga INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2026, një individ duhet të shpenzojë rreth 77% të të ardhurave mujore bruto ose 97% të të ardhurave neto vetëm për të përballuar koston e strehimit.
Kur qirasë i shtohen edhe shpenzimet për produktet e shportës ushqimore, transportin, energjinë dhe nevoja të tjera të përditshme, përballimi i kostos së jetesës në Tiranë po bëhet gjithnjë e më i vështirë për shumë familje shqiptare të shtresës së mesme. Kjo situatë po krijon një tendencë të re, sidomos te familjet e reja, të cilat po zgjedhin si alternativë banimi qytetet pranë kryeqytetit, ndërsa vijojnë të punojnë në Tiranë.
Disa prej individëve të kontaktuar nga Monitor, kryesisht pjesëtarë të familjeve të reja, pohuan se kanë vendosur të largohen nga Tirana pikërisht për shkak të çmimeve të larta të qirave. Tendenca konfirmohet edhe nga ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme.
Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme “Colliers International Albania”, thotë se shumë familje të reja po zgjedhin veçanërisht Elbasanin, por edhe Durrësin, si alternativa për banim.
Sipas Dhamit, arsyeja kryesore e kësaj zhvendosjeje është pamundësia për të përballuar qiratë gjithnjë e më të larta në Tiranë. Fenomeni prek kryesisht familjet e shtresës së mesme, të cilat, përveç rritjes së qirave, duhet të përballojnë edhe kostot e shkollave, kopshteve, produkteve ushqimore dhe shpenzimeve të tjera të jetesës.
“Tregu i qirave në Elbasan ofron ende apartamente me çmime dukshëm më të ulëta se në Tiranë, duke e bërë qytetin një zgjedhje tërheqëse për ata që punojnë në kryeqytet, por nuk arrijnë të përballojnë kostot e banimit. Çmimet e qirave në Elbasan mund të jenë rreth 30–40% më të ulëta se në Tiranë, ndërsa Durrësi, për shkak të turizmit dhe kërkesës së lartë, ka çmime më të larta se Elbasani”, thotë Dhami.
Sipas ekspertes së tregut të pasurive të paluajtshme, kostoja e banimit është faktori kryesor që po ndryshon hartën e zgjedhjeve për një pjesë të qytetarëve që punojnë në kryeqytet. Mundësia e zgjerimit të këtij fenomeni lidhet edhe me transportin publik dhe koston e lëvizjes së përditshme drejt Tiranës.
“Mendoj se po të kishte transport publik të mjaftueshëm dhe me kosto normale do të kishte edhe më tepër individë që do të zgjidhnin të jetonin në këto qytete, sepse janë shumë afër Tiranës. Ky është një fenomen që ndodh në shumë metropole të botës. Për shkak të çmimeve të larta të qirave dhe mospërballueshmërisë së kostos së jetesës, shumë individë jashtë jetojnë në rrethinat e afërta të kryeqytetit”, thekson Dhami.
Megjithëse udhëtimi i përditshëm drejt Tiranës dhe trafiku mbeten sfida të rëndësishme, shumë familje po e konsiderojnë zhvendosjen drejt qyteteve të afërta si një kompromis të pranueshëm përballë kursimit që sigurojnë nga qiratë më të ulëta.