Tatimet: 110.7 mln lekë kompensim për transportin, linjat e Tiranës mbulohen nga Bashkia
Administrata Tatimore njofton se po kryen kompensimin e 95 subjekteve të transportit publik për rritjen e çmimit të karburantit, me një vlerë totale prej 110.7 milionë lekësh.
Në këtë shumë nuk përfshihen operatorët e linjave qytetëse të Tiranës, kompensimi i të cilëve mbulohet nga Bashkia Tiranë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se procesi i aplikimit për skemën e kompensimit të transportit publik ka përfunduar më 1 gusht 2026. Në total, 95 subjekte kanë aplikuar për të përfituar nga skema e miratuar për kompensimin e rritjes së çmimit të karburantit.
Sipas Tatimeve, vlera totale e kompensimit për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës arrin në 110.7 milionë lekë. Administrata Tatimore sqaron se kjo shumë nuk përfshin kompensimin për shoqëritë që operojnë në linjat qytetëse të Tiranës, pasi financimi i tyre mbulohet nga Bashkia Tiranë.
Për kompensimin që duhet të kryhet nga Bashkia Tiranë, pranë Administratës Tatimore kanë aplikuar 20 subjekte. Vlera e kompensimit për këta operatorë arrin në 66.1 milionë lekë.
Njoftimi vjen një ditë pasi shoqëritë e transportit publik në kryeqytet ngritën shqetësimin se ende nuk kishin marrë kompensimin e miratuar për kostot e karburantit. Operatorët paralajmëruan se, në mungesë të disbursimit të fondeve, mund të detyrohen të rishikojnë kapacitetet operative dhe të reduktojnë numrin e mjeteve të transportit publik që nxjerrin në qarkullim.