FSHZH hap garën, mbi 1.6 miliardë lekë për rigjenerimin urban të banesave në 12 qarqe
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur garën për fazën e katërt të projektit të rigjenerimit urban të stokut të banesave, me ndërhyrje në 12 qarqe dhe një fond të përgjithshëm prej rreth 1.66 miliardë lekësh.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka shpallur hapjen e garës për projektin “Rigjenerimi urban i stokut të banesave, Faza IV”, i cili parashikon rehabilitimin e ndërtesave të banimit dhe përmirësimin e infrastrukturës përreth tyre. Investimi synon të përmirësojë kushtet e banimit, eficiencën energjetike, sigurinë dhe pamjen urbane në 12 qarqe të vendit.
Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti është ndarë në dy grupe qarqesh. Në grupin e parë përfshihen Elbasani, Korça, Berati, Vlora, Fieri dhe Gjirokastra, ndërsa grupi i dytë përfshin Shkodrën, Kukësin, Lezhën, Durrësin, Tiranën dhe Dibrën.
Mbi 833 milionë lekë për secilin grup
Për secilin prej dy projekteve është përcaktuar një fond limit prej 833 milionë e 333 mijë lekësh. Në total, fondi i parashikuar për ndërhyrjet arrin në rreth 1 miliard e 666 milionë lekë.
Qëllimi i investimit është rehabilitimi i stokut ekzistues të banesave dhe përmirësimi i infrastrukturës përreth tyre. Ndërhyrjet nuk do të kufizohen vetëm në ndryshimin e pamjes së pallateve, por synojnë edhe rritjen e eficiencës energjetike, sigurisë dhe jetëgjatësisë së ndërtesave.
Termoizolim dhe rehabilitim i fasadave
Një nga ndërhyrjet kryesore të projektit do të jetë termoizolimi i fasadave, me synim përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave dhe mbrojtjen e tyre nga faktorët atmosferikë. Parashikohet gjithashtu rehabilitimi i sipërfaqeve të dëmtuara të fasadave, realizimi i rifiniturave dekorative dhe mbrojtëse, si dhe sistemimi i elementeve të ndryshme që kalojnë ose ndërhyjnë në fasadat e ndërtesave.
Sipas dokumentacionit, në kuadër të projektit do të kryhen edhe punime në tarraca dhe në sistemet e kullimit të ujërave të shiut. Në zona të caktuara parashikohen gjithashtu ndërhyrje për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë.
Piktura murale për përmirësimin e imazhit urban
Pjesë e projektit do të jenë edhe ndërhyrjet artistike, përmes realizimit të pikturave murale në fasada të përzgjedhura. Synimi është që rehabilitimi fizik dhe energjetik i ndërtesave të shoqërohet edhe me përmirësimin e imazhit urban të lagjeve dhe blloqeve të banimit.
Investimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në kushtet e jetesës së komuniteteve që banojnë në këto ndërtesa. Përveç përmirësimit estetik, termoizolimi dhe rehabilitimi synojnë reduktimin e humbjeve të energjisë dhe rritjen e komfortit termik për banorët.
Godinat e rinovuara sipas parimeve të eficiencës së energjisë pritet të konsumojnë më pak energji dhe, rrjedhimisht, të ndikojnë në reduktimin e emetimeve, duke sjellë njëkohësisht kushte më të mira dhe më komode jetese për qytetarët.