Secondary Adv

Më pak fluturime dhe udhëtarë, trafiku ajror në Kosovë bie me 5.7 për qind

Transporti ajror në Kosovë shënoi rënie gjatë qershorit 2026, si në numrin e fluturimeve, ashtu edhe të udhëtarëve.

Gjatë muajit u realizuan 2,314 fluturime, 5.7% më pak se një vit më parë, ndërsa numri i udhëtarëve ra me 5%.


Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në qershor 2026 u realizuan gjithsej 2,314 fluturime, kundrejt 2,454 fluturimeve në të njëjtin muaj të vitit 2025. Brenda një viti, numri i fluturimeve është reduktuar me 140.


Rreth 20 mijë udhëtarë më pak

Rënia e aktivitetit ajror është reflektuar edhe në numrin e pasagjerëve. Në qershor 2026 u regjistruan gjithsej 372,433 udhëtarë, ose 5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në qershor 2025, numri i tyre kishte arritur në 392,165, çka do të thotë se këtë vit janë regjistruar rreth 19,700 udhëtarë më pak.


Rënia ka prekur si ardhjet, ashtu edhe largimet. Numri i udhëtarëve që hynë në Kosovë përmes transportit ajror ishte 196,092, duke shënuar një rënie prej 4.8% krahasuar me 205,929 ardhje në qershor 2025.


Ndërkohë, nga Kosova u larguan 176,341 udhëtarë, ose 5.3% më pak se një vit më parë, kur ishin regjistruar 186,236 largime.


Rënia prej 5% e numrit të përgjithshëm të udhëtarëve tregon një tkurrje të qarkullimit ajror gjatë një muaji që tradicionalisht shoqërohet me shtim të lëvizjeve për shkak të fillimit të sezonit veror. Qershori zakonisht karakterizohet nga rritja e udhëtimeve për pushime, vizita familjare dhe lëvizje jashtë vendit, por të dhënat e këtij viti tregojnë një tendencë të kundërt.


Transporti hekurudhor rritet me 7.4%

Në dallim nga transporti ajror, transporti hekurudhor ka regjistruar rritje të numrit të udhëtarëve. Në qershor 2026, me tren udhëtuan 7,238 persona, ose 7.4% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.


Megjithatë, gjatë qershorit nuk është regjistruar transport mallrash përmes hekurudhave. Pavarësisht rritjes së pasagjerëve, numri i personave që përdorin transportin hekurudhor mbetet shumë më i ulët krahasuar me trafikun ajror.


Rriten përdoruesit e telefonisë fikse dhe mobile

Të dhënat e ASK-së evidentojnë ndryshime edhe në sektorin e telekomunikacionit. Në telefoninë fikse u regjistruan 71,893 përdorues, ose 5.2% më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.


Pavarësisht rritjes së numrit të përdoruesve, trafiku përmes telefonisë fikse ra me 0.6%. Gjatë qershorit u realizuan gjithsej 1,826,651 minuta komunikimi.


Në telefoninë mobile, numri i përdoruesve me parapagim, ose Prepaid, arriti në 1,512,900, duke u rritur me 2.19% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, përdoruesit me kontratë, ose Postpaid, arritën në 320,944, me një rritje vjetore prej 1.76%.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat