Secondary Adv

Europa nën pushtetin e flakëve: Të plagosur në Kroaci, evakuime masive në Greqi, Francë dhe Angli

Zjarret kanë përfshirë disa vende të Europës, duke detyruar mijëra banorë dhe turistë të evakuohen, ndërsa vala e të nxehtit dhe thatësira po krijojnë kushte gjithnjë e më të favorshme për përhapjen e flakëve.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar për kushte “shumë ekstreme” për zjarret në një pjesë të madhe të kontinentit. Situata më e rëndë është regjistruar në Kroaci, ku një zjarr i fuqishëm përfshiu gjatë natës një zonë turistike, duke plagosur 40 persona dhe detyruar rreth 1.200 të tjerë të evakuohen.


Kroaci, 40 të plagosur dhe 1.200 persona të evakuuar

Sipas autoriteteve kroate, flakët përfshinë shtëpi dhe pyje në një sipërfaqe prej më shumë se 1.000 hektarësh pranë qytetit bregdetar të Omišit, në bregdetin dalmat. Zjarri ndriçoi qiellin gjatë natës dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale.


“Zjarri shkatërroi gjithçka që gjeti përpara. Dëmet materiale janë shumë të mëdha”, deklaroi komandanti i zjarrfikësve, Slavko Tucakoviç. Sipas tij, deri të premten në mëngjes situata ishte qetësuar dhe nuk kishte më vatra me flakë të hapura. Shërbimet shëndetësore njoftuan se 40 persona morën ndihmë mjekësore, ndërsa shtatë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.


Mbi 300 persona evakuohen në Greqi

Situatë e vështirë është regjistruar edhe në Greqi. Në qytetin bregdetar Siviri, në Halkidiki, më shumë se 300 persona u evakuuan me gomone dhe mjete të tjera lundruese, ndërsa zjarri përparonte në pyllin pranë zonës turistike. Pushuesit dhe banorët, disa me maska në fytyrë dhe me fëmijët apo kafshët shtëpiake në krahë, u drejtuan nga deti për t'u larguar nga flakët.


Për shuarjen e zjarrit u angazhuan mbi 140 zjarrfikës, nëntë avionë dhe shtatë helikopterë, ndërsa në operacionin e evakuimit u përfshinë edhe mjete peshkimi.


Evakuime në Francë, zjarre edhe në Angli

Në Francë, autoritetet evakuuan 525 persona nga fshati Luglon, në rajonin Landes, pas shpërthimit të një zjarri të ri pranë zonave të prekura edhe më herët gjatë kësaj vere. Ndërkohë, në Spanjë autoritetet zhvendosën eshtrat e tre mbretërve të Aragonës të shekullit XI nga një manastir i kërcënuar nga flakët.


Edhe Anglia u përball me një zjarr të madh në një zonë me bar të thatë, i cili u përhap deri pranë banesave.


Copernicus paralajmëron kushte “shumë ekstreme” deri më 19 gusht

Shërbimi Europian për Ndryshimet Klimatike Copernicus paralajmëroi se deri më 19 gusht kushte “shumë ekstreme” për zjarret do të mbizotërojnë në pjesë të mëdha të Europës Qendrore dhe Lindore, si edhe në jug të Britanisë, Irlandë, veri të Francës dhe jug të Suedisë.


Sipas të dhënave të Reuters Climate Monitor, temperatura mesatare maksimale në Europën Perëndimore të premten pritej të arrinte në 31.2 gradë Celsius, rreth 8 gradë mbi mesataren e periudhës 1961–1990. Në shkallë europiane, temperatura mesatare ishte 1.6 gradë mbi normalen shumëvjeçare.


Thatësira godet edhe bujqësinë

Vala e të nxehtit dhe mungesa e reshjeve po japin pasoja edhe në sektorin e bujqësisë. Në Francë, shoqata e prodhuesve AGPM paralajmëroi se prodhimi i misrit pritet të bjerë në nivelin më të ulët që nga vitet 1970, si pasojë e thatësirës dhe temperaturave të larta.

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat